Një nga protagonistët e Dinamos, Bregu: Nuk merremi me kundërshtarët, shohim vetëm para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2025 | 9:01

Një nga protagonistët e Dinamos, Bregu: Nuk merremi me kundërshtarët, shohim vetëm para

Pas triumfit në derbi ndaj Partizanit, atmosfera te Dinamo është mjaft pozitive. Fitorja e arritur në një ndeshje të fortë ka dhënë sinjale të qarta se “blutë” po hyjnë në një formë solide dhe me ambicie të qarta për pjesën e mbetur të sezonit.

bregu

Një nga protagonistët e skuadrës, Dejvi Bregu, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për emocionet pas këtij suksesi dhe rëndësinë që mbart çdo derbi. Ai pranon se ndeshja nuk ishte aspak e lehtë, por Dinamo e menaxhoi më mirë dhe e meritoi fitoren. Bregu ndalet gjithashtu te përballja e radhës me Teutën, që e konsideron një kundërshtar të fortë e të organizuar, ndërsa për çështjen e kreut mbetet i rezervuar, duke theksuar se ekipi duhet të fokusohet te puna e vet dhe të ruajë këtë ecuri pozitive.

Bregu, si ndiheni pas fitores në derbi?

Ishte një fitore e rëndësishme, sepse dihet që derbi është special. Rëndësi ka që kemi një vazhdimësi shumë pozitive dhe shpresojmë ta mbajmë këtë ecuri.

Rezultoi e vështirë, sepse u zgjidh me një autogol. E prisnit?

Nuk ka ndeshje të lehta dhe normalisht që Partizani ka cilësi. Ndodh që ndeshjet të zgjidhen edhe me autogol, por mendoj se ishim nën kontroll të lojës dhe e meritonim fitoren.

Ndeshja e radhës me Teutën, si e shihni?

Teuta është një kundërshtar shumë i rrezikshëm dhe ndeshjen e parë e kemi humbur në Durrës. Kanë bërë një ekip shumë kompetitiv, por shpresojmë të vazhdojmë me këtë ecuri. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar.

Dy pikë larg Vllaznisë, po mendoni kreun?

Është herët të mendojmë për kreun. Vllaznia dhe ne jemi ende në lojë, por nuk merremi me rezultatet e kundërshtarëve. Shpresojmë vetëm të shohim punën tonë dhe të ecim përpara.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL