Në Kombëtare që 19-vjeç dhe 4 tituj kampionë në vend, i jepet lamtumira legjendës Sabah Bizi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2025 | 11:23

Në Kombëtare që 19-vjeç dhe 4 tituj kampionë në vend, i jepet lamtumira legjendës Sabah Bizi

Sabah Bizi, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, ka ndërruar jetë në moshën 77- vjeçare.

bizi

Lajmi i trishtë u mësua paraditen e djeshme dhe menjëherë pushtoi mediat sportive dhe jo vetëm, pasi bëhet fjalë për një nga figurat më popullore të futbollit tonë. Legjenda e futbollit shkodran dhe atij shqiptar mbylli sytë për shkak të një sëmundjeje që e mundonte kohët e fundit. Vitet e fundit diabeti e kishte lodhur jo pak, duke i krijuar probleme edhe me shikimin. Ka luajtur për Vllazninë, Partizanin dhe Kombëtaren, ka fituar gjithçka.

Në Shkodër, djepin e futbollit shqiptar, Sabah Bizin e kanë konsideruar gjithmonë më të madhin, por në gjithë Shqipërinë ai gëzonte një respekt të jashtëzakonshëm si ish-lojtar i madh dhe mbi të gjitha si njeri i madh. Jo shumë mediatik, por miku i të gjithëve. Në kujtesën e tifozëve shkodranë dhe po ashtu gjithë sportdashësve e specialistëve në vend ai ka qenë një figurat emblematike të futbollit shqiptar. Për të gjitha këto lajmi për ndarjen nga jeta të Bizit është përcjellë me hidhërim të thellë. Me ndarjen nga jeta të Sabah Bizit, në Shkodër qajnë të fundit nga 3 “musketierët”. Bashkë me Medin Zhegën dhe Ramazan Rragamin ata konsideroheshin si treshja e artë dhe e papërsëritshme e futbollit shkodran. Pas futbollit të luajtur Bizi ka qenë gjithmonë pranë këtij sporti, si trajner moshash, trajner i Vllaznisë për pak kohë dhe sekretar në klubin shkodran.

KUSH ISHTE SABAH BIZI

I lindur më 26 janar 1948 në Shkodër, Bizi spikati që në hapat e tij të parë në futboll. Ai u bë pjesë e skuadrës së parë të Vllaznisë që në moshën 17-vjeçare dhe luajti me fanellën e saj deri në 1968- ën. Më pas ish-mesfushori kaloi te Partizani, pasi u transferua në Tiranë për të kryer shërbimin ushtarak. Ai qëndroi 3 vjet me klubin e kuq dhe në vitin 1971 fitoi titullin kampion. Dashuria e shkodranëve për një nga idhujt e tyre dhe po ashtu dëshira e vetë Bizit ishte që të rikthehej te Vllaznia. E famshme është historia e punëtorëve të hidrocentralit të Vau të Dejës, të cilët u vunë si “kusht” drejtuesve politikë të kohës që të rikthenin Sabah Bizin te Vllaznia, në mënyrë që punët të kryheshin në kohë. Kërkesa u plotësua dhe epoka “Bizi2 te Vllaznia është më e suksesshmja në historinë e futbollit shkodran. Me fanellën kuqeblu u shpall 3 herë kampion i Shqipërisë, në vitet 1972, 1974 dhe 1978. Kjo periudhë e lavdishme e shndërroi në një legjendë. Në karrierë Bizi ka fituar edhe një Kupë të Shqipërisë me Vllazninë në 1972-shin. Këtë vit shkodranët u bënë skuadra e parë në historinë e futbollit shqiptar që fitonin të dy trofetë brenda një sezoni. E pasur është historia dhe karriera e Sabah Bizit edhe me Kombëtaren shqiptare, ku ka luajtur që në moshën 19-vjeçare. Me fanellën kuqezi numëron 15 ndeshje dhe një gol të shënuar në periudhën 1969-1976.

NDERIMET DHE VLERËSIMET

Sabah Bizi ka qenë një nga personazhet më të vlerësuara në futbollin tonë. Ai është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”. Po ashtu, në një anketë për vlerësimin e futbollistëve të shekullit të kaluar në Shqipëri, Sabah Bizi është renditur në vend të dytë. Përpara tij ka dalë një tjetër emër i madh, siç është Panajot Pano.VCF

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL