Në Ballsh presin 4 afrime, trajneri Josa kërkon sa më shumë ndeshje për të qenë gati
Bylisi pret 4 afrimet e merkatos dhe skuadra mund të shtegtojë në fazë edhe jashtë Ballshit, madje mundet edhe në Greqi ose shtet afër. Nga sa bëhet e ditur, vonesat në afrime po mbajnë pezull edhe çështjen e fazës përgatitore te ballshiotët.
Ndonëse duhet theksuar se janë në kushte mjaft të mira në Ballsh pasi kanë tri fusha gati, dy me bar natyral dhe një me bar artificial. Mallakastriotët kanë pësuar 10 largime, lojtarë që u ka përfunduar kontrata dhe ata që nuk ishin në planet e klubit. Titullarët janë në ekip dhe japin garanci për sezonin e ardhshëm, ndërsa janë rikthyer nga huazimet: Skënderaj, Akibu, Buraneli, Hodo, që aktualisht po stërviten nga trajneri Mirel Josa.
Radhët janë shtuar edhe me talente nga Afrika që luajnë në qendër të mbrojtjes dhe bëhet fjalë për dy lojtarë të datëlindjes 2006-2007 dhe që shërbejnë për skuadrën e parë por edhe akademinë. Kjo është një politikë që ndiqet shpesh vitet e fundit në Ballsh dhe lojtarët janë duke u testuar. Ballshiotët janë duke vijuar fazën përgatitore, e cila është në kulmin e vet me dy seanca në ditë, ushtrime në fushë, ndeshja brenda grupit, por edhe palestra e forcës, kjo është “menuja” e ditëve të nxehta të kësaj vere.
Pa thënë se është bërë e modës që në këtë përiudhë tërë skuadra rri në grumbullim në kompleksin “Gjanica”, në një regjim absolut. Tashmë ballshiotët presin përgjigje për luajtjen e një testi miqësor me ekipet e elitës, duke qenë se një pjesë luajnë në Europë dhe pjesa tjetër janë jashtë. Një ndeshje e tillë bën punë edhe për të parë dhe vlerësuar më mirë gjendjen e grupit. Kur kanë diçka më shumë se një muaj që kanë zbritur në fushë, mallakastriotët deri tani kanë luajtur dy teste. Ballshiotët synojnë që të kenë një ecuri sa më të mirë në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë ndaj edhe në merkato duan që të mos nxitojnë, duke bërë afrimet e duhura, aty ku ka nevojë skuadra dhe trajneri Josa për sezonin e ardhshëm.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













