Ndryshime nga ndeshja me Elbasanin, te Partizani ka balotazh në dy role. Si pritet ta nisë ekipi i Milinkoviç në Ballsh
Diçka është e sigurt për Partizanin në Ballsh, që do të ketë ndryshime. Ndaj ballshiotëve lëvizjet projektohen nga mbrojtja në sulm, ndërsa ka balotazh në dy pozicione.
Fillimisht Qirko pritet të kthehet sërish duke marrë vendin e kapitenit Hoxha, që e zëvendësoi në dy javët e fundit. Më tej është Bytyçi që do të zëvendësohet nga Janjeva. Nëse nuk ka rikthim të Buxhelajt në vendin e Atanaskoskit, atëherë ky i fundit në krahët e mbrojtjes do të qëndrojë me Markun. Më pas mund një prej Qokthit, Gudjufit dhe Garsias do e nisë si titullar për repartin ofensiv.
Garsia duket më i avantazhuar, për shkak të ngarkesës që Gudjufi ka marrë në katër sfidat e para. Hjumen dhe Isgandarli do jenë vija para sulmuesit kryesor. Dilemë e madhe mbetet nëse Toma apo Bintsuka e nis nga minuta e parë, ndërsa ky i fundit është më i avantazhuar. Në stërvitje janë kthyer me ngarkesë të plotë Çipi dhe Buxhelaj. Po ashtu Denis Sulo është stërvitur me ekipin e parë, njëjtë si edhe 16-vjeçari Himallari.
Partizani ka nevojë për sa më tepër forca, për shkak të mungesave. Ndaj Bylisit nuk do të jenë të gatshëm Skuka, Sembene dhe Shanaj që janë në fazën e rikuperimit. Jata dhe Ogunleje po ashtu vijojnë me vrapimet.
PANORAMASPORT.AL













