“Ndaj Kukësit, ekipit i mungoi ‘uria’ për pikë”. Kastrioti, Ndreu tregon ngërçin dhe objektivin
Kastrioti ka shfaqur luhatje në rezultate në javët e fundit, megjithatë krutanët mbeten brenda objektivave. Pesë javë nga fundi i kampionatit, ata mbajnë vendin e pestë me 36 pikë, duke qenë në garë për një vend në gjashtëshen e parë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Kastriotit, Ramzan Ndreu, analizoi ecurinë e skuadrës, duke ndalur te faktorët që kanë ndikuar në këto luhatje, por edhe te synimet për fazën përfundimtare të sezonit. “Në ndeshjet e fundit kemi zhvilluar lojëra të mira dhe kemi marrë rezultate pozitive, duke përjashtuar derbin, që dihet se është gjithmonë i fortë dhe i paparashikueshëm. Fatkeqësisht, atë takim e fitoi Iliria. Ndërkohë, ndaj Burrelit zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer, duke pasur parasysh se matjanët kanë një skuadër shumë cilësore. Mendoj se në disa ndeshje ka ndikuar mungesa e 4-5 lojtarëve kryesorë, por edhe fakti që nuk kemi qenë sa duhet të etur dhe kërkues për pikë.
Dihet që në Shqipëri, kur një ekip arrin një farë sigurie në klasifikim, lojtarët jo gjithmonë japin maksimumin. Kjo u pa edhe në ndeshjen me Kukësin, ku e nisëm keq dhe jo në ritmin e duhur. Kur reaguam, kundërshtari ishte shumë i mobilizuar dhe i karikuar maksimalisht, pasi nuk kishte alternativë tjetër përveçse të merrte pikët. Kukësi ishte më këmbëngulës dhe më i vendosur. Gjithsesi, për atë ndeshje kam edhe vërejtjet e mia për gjyqtaren (Emanuela Rusta), e cila së bashku me anësorët(Salla dhe Kapxhiu) nuk e ndoqën lojën në dinamikën e saj. Shpresoj që në ndeshjet e mbetura të japim maksimumin dhe të arrijmë objektivin tonë, që është të jemi pjesë e gjashtëshes së parë”, u shpreh Ndreu.
NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL













