MUNDJE/ Super-Valiev çon Shqipërinë në finale të Botërorit, sot në duel për medaljen e artë
Chermen Valiev vazhdon të shkruajë më germa të arta historinë e mundjes dhe sportit shqiptar. I natyralizuar vetëm një vit më parë më pasaportë shqiptare, rezultatet e mundësit nga Osetia Veriore me ngjyrat kuqezi kanë qenë të jashtëzakonshme.

Mrekullia e radhës e Valievit nën flamurin shqiptar vjen nga Kampionati Botëror që po zhvillohet në Zagreb. 26-vjeçari u tregua u jashtëzakonshëm, teksa dje shënoi katër fitore në evenimentin më madhor të mundjes, duke siguruar kualifikimin për në finale.
Paraqitje fantastike nga Valiev, karriera e të cilit ka pasur një hov të pabesueshëm pas kalimit në radhët e Shqipërisë. Veliev e nis dje nga raundi 1/16 i peshave 74 kg në stilin e lirë, aty ku fillimisht “sistemoi” me rezultatin 12-2 mongolezin Tugsjargal Erdenebat. Më pas në raundin 1/8, shorti e vendosi përballë Ibragim Ruslanovitch Veliev, mundës që përfaqëson Belgjikën. Tjetër ndeshje e dominuar nga Valiev, e fituar bindshëm, sërish në shifrat 12-2, për të kaluar në fazën çerekfinale.
Këtë herë përballë kishte amerikanin David Aaron Carr, një duel tepër interesant. Mundësi ynë u tregua më i saktë, për të merituar fitoren me rezultatin 7-4, duke prerë bletën e gjysmëfinales, aty ku e priste bashkëkombësi i tij, Zaurbek Sidakov. Një betejë e vërtetë, ku edhe një herë tjetër Valiev shfaqi aftësitë e tij të shkëlqyera, për të fituar me rezultatin 6-4, duke siguruar kështu finalen e madhe dhe minimalisht medaljen e argjendit. Valiev do duelojë sot për medaljen e artë në ndeshjen finale kundër japonezit Kota Takahashi, sfidë që do të zhvillohet në hapësirën e përballjeve nga ora 18:00 deri në 20:00.
KUQEZINJTË E TJERË – Zelimkhan Abakarov, kampioni i parë i botës në historinë e mundjes shqiptare, nuk mundi të bëhej pjesë e medaljeve në kategorinë e peshave 61 kg për stilin e lirë. 32-vjeçari kuqezi e filloi mirë, duke kaluar me sukses kualifikueset, teksa mposhti turkun Emrah Ormanoglu me rezultatin 3-0. Por më pas u ndal në raundin 1/8, pasi humbi në shifrat 7-4 kundër moldavit Leomid Colesnic, duke e mbyllur shpejt aventurën e tij në botëror, kompeticion ky dy vite më parë bënte historinë me medalje ari.
Pa shkëlqim u mbyll botërori edhe për mundësin Islam Dudaev në stilin e lirë për peshat 70 kg. Medalisti olimpik i Shqipërisë u ndal që në kualifikuese, pasi u mposht nga bashkëkombësi i tij, Ismail Musukaev, i cili përfaqëson Hungarinë, kundërshtar i një niveli shumë të lartë. Ndërkohë Albina Drazhi do të nisë konkurrimin e saj në peshat 68 kg më datë 17 shtator. Ndërsa ai që do të mbyllë garat e Shqipërisë në Botërorin e Mundjes në Zagreb do të jetë Gjetë Prenga, i cili më 20 shtator do të futet në tapet për kualifikueset e peshave 67 kg në stilin greko-roman.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













