MUNDJE/ Në tapet edhe 55 vjeç, Muçogllava kërkon rikthimin në aktivitet: Nuk më lejon Federata!
Mundësi i njohur beratas Altin Muçogllava, i është përkushtuar këtij sporti që në moshën 11 vjeçare dhe gjatë gjithë karrierës së tij prej 44 viteve, ka arritur që të jetë në majën e këtij sporti në radhët e ekipit të Tomorit, duke u shpallur kampion kombëtar në të gjitha nivelet e moshave. Por, përkundrejt moshës dhe viteve që ka mbi supe, ish-kampioni i vendit, Muçogllava, vazhdon që të mbajë akoma të gjallë pasionin që e ka lidhur me mundjen klasike.

Duke kaluar të gjitha limitet e moshës 55- vjeçare, që për Altinin janë thjesht numra, dhe sikur e ka shpjeguar së fundmi në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, për sa kohë gëzon shëndet dhe ka parametra fizikë që garantojnë përballimin e garave në tapet. Atëherë ai është i gatshëm që të konkurrojë edhe në këtë moshë, duke patur si garanci regjimin e fort sportiv, si dhe e konsideron si shumë të favorshëm eksperiencën që ka prej 44 viteve në sportin e mundjes.
Por pasionin dhe dëshirën që ka për të zbritur në tapet në garat zyrtare, momentalisht janë duke ia frenuar drejtuesit e FSHM-së, të cilët nuk japin miratimin për ta regjistruar në garat zyrtare, duke nxjerrë si pengesë kryesore moshën. Muçogllava është duke bërë përpjekje dhe duke këmbëngulur vazhdimisht nëpërmjet kontakteve të shumta, që të realizojë qëllimin e tij për të garuar. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse ka trokitur në “Panorama Sport” për të bërë publike këtë rast, madje dhe duke hedhur dorashkën e sfidës me të gjithë skeptikët, se pavarësisht moshës ai dëshiron të garojë për të qenë mes tre vendeve të para.
FLET MUÇOGLLAVA – “Sportit të mundjes i jam përkushtuar që në moshën 11-vjeçare me trajnerin tim të parë Dajti Qafa. Kam kaluar të gjitha etapat e karrierës sime duke u shpallur kampion i vendit, që me pionierët siç quhej në atë periudhë, me paratërinjtë, të rinjtë dhe të rriturit, ku jam stërvitur nga trajnerët e mirënjohur të Tomorit dhe mundjes klasike shqiptare, si Ibrahim Keli, Agron Musaraj, dhe Hajri Dhelpra. Mundja për mua ka qenë më shumë se sa një pasion, pasi në 44 vite jam ushtruar pa ndërprerje, dhe kjo falë pasionit dhe regjimit të jashtëzakonshëm, duke mos njohur as duhanin dhe as alkoolin, por që me mund dhe djersë, jam stërvitur dhe kam sakrifikuar gjithçka qysh në rininë e hershme, edhe në mes vështirësive të mëdha ekonomike për kohën, ashtu edhe pas viteve 90 të kur gjithnjë renditesha në mes tre vendeve të para, dhe shpallja si kampion i vendit më ka vlerësuar nga klubi Tomori me fitimin e anketave të sportistëve më të mirë, pa lënë mënjanë që po si kampion ofertat nga klubet e kryeqytetit nuk më kanë munguar asnjëherë.

Por për shkak të familjes dhe ushtrimit me biznes, unë zgjodha të përfaqësoj vetëm ekipin e Tomorit dhe jam shumë i lumtur që kam marrë këtë vendim të hershëm në kulmin e karrierës dhe suksesit tim”, rrëfen Muçogllava, i cili më tej vijon: “Unë asnjëherë nuk jam shkëputur nga sporti i mundjes, dhe vazhdoj të stërvitem sistematikisht, pavarësisht moshës 55-vjeçare që për mua janë thjesht numra, për sa kohë pasioni mbetet më i madh se mosha. Sekreti i suksesit tim edhe në këtë moshë është regjimi i fortë sportiv, dhe për herë të fundit u shpalla kampion i vendit në moshën 51- vjeçare, duke thyer çdo tabu dhe paragjykim ndaj moshës sime.
Siç e kam deklaruar edhe më parë, drejtuesit atëherë kishin frikë se mos më linte zemra në tapet. Por unë vërtetova të kundërtën, dhe tani po më sjellin si pengesë moshën duke mos më regjistruar në garat zyrtare, ku dua të përfaqësoj Tomorin në peshën e 9-të, por që nga FSHM nuk po ma japin këtë mundësi. Unë jo vetëm stërvitem rregullisht, por edhe kryej analizat mjekësore, ku parametrat e mia janë si një djalë i ri, dhe në tapet gjatë garave të kontrollit shfaqem në një formë të lartë sportive. Kam folur me shumë figura të njohura të sportit të mundjes, dhe të gjithë më inkurajojnë për pasionin dhe formën sportive, ndërsa Federata është skeptike, edhe pse unë jam gati të sfidoj këdo duke bindur në tapet, jo vetëm duke kryer të gjitha analizat mjekësore në çdo laborator të vendit, por edhe se në garat zyrtare do të jem pa diskutim në treshen më të mirë në peshën time, për të mos thënë përtej çdo modestie, që jam i gatshëm të synoj edhe titullin kampion, duke thyer çdo parashikim dhe rekord pse jo.
Nuk ka asnjë arsye pse të më heqin mundësinë e pjesëmarrjes në gara zyrtare, për sa kohë këtë nuk e ndalon asnjë rregullore, ndaj dhe pres të më hapet drita jeshile dhe të jem pse jo kampioni i vendit, si një rast i denjë që do të përfaqësoja Shqipërinë në librin e rekordeve Guinness”, ka përfunduar mundësi 55-vjeçar beratas Altin Muçogllava.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL













