MUNDJE/ Mbyllet turneu “Muhamet Malo”, Shqipëria del me një medalje bronzi
Pas pesë ditësh me duele emocionuese në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik, është mbyllur mbrëmjen e së dielës turneu ndërkombëtar i mundjes “Muhamet Malo”.
Një kompeticion elitar i këtij sporti, i organizuar nga Federata Shqiptare e Mundjes. Ky aktivitet solli në Tiranë rreth 900 sportistë, duke vijuar tashmë traditën disa vjeçare të këtij eventi që vjen në nderim të Muhamet Malos, një personalitet dhe kontribuues i madh i mundjes në vendin tonë, i ndarë nga jeta në vitin 2017.
Për sa u përket rezultateve, ndonëse Shqipëria u përfaqësua me një ekip të plotë, duke garuar në të dyja stilet, nuk mundi që të siguronte më shumë se një medalje bronzi në këtë turne. Medalja u arrit nga Zelimkhan Abakarov, i cili zuri vendin e tretë në stilin e lirë për kategorinë e peshave 61 kg.
Megjithatë, edhe pse rezultatet nuk ishin ato që priteshin, Shqipëria mori “medaljen e artë” në organizim, duke zhvilluar një turne model, për të marrë edhe përgëzimet nga Unioni Botëror i Mundjes për pritjen dhe mbarëvajtjen model të këtij aktiviteti.
PANORAMASPORT.AL













