MUNDJE/ Kampionati kombëtar, triumf i dyfishtë nga skuadra e Tiranës
Federata Shqiptare e Mundjes ka zhvilluar dje në kryeqytet kampionatin kombëtar për të rritur, aktiviteti më i rëndësishëm i FSHM-së për sa i përket kalendarit të garave në arenën brenda vendit.

Një kompeticion që mblodhi mundësit më të mirë të vendit, të cilët matën forcat në stilin greko-roman dhe atë të lirë, duke dhuruar sfida elektrizuese në sallën “Farie Hoti”. Ashtu sikurse ishte njoftuar, gjatë kampionatit u mbajt edhe një ceremoni e veçantë, me federatën që vlerësoi nënkampionin e botës, Chermen Valiev, i cili vetëm disa ditë më parë shënoi rezultatin e radhës të madh për mundjen shqiptare, duke fituar medalje argjendi në Kampionatin Botëror që u mbajt në Zagreb.
Presidenti Sahit Prizreni, ndër të tjera i shprehu mirënjohjen kampionit kuqezi, që vijon të nderojë flamurin shqiptar në evenimentet më prestigjioze të të këtij sporti. Duke u kthyer te garat e kampionatit, Tirana u konfirmua si superfuqi absolute në mundje, duke u shpallur kampione ekipore në të dyja stilet, me 225 pikë në stilin greko-roman dhe me 235 pikë në stilin e lirë. Ndërkohë sportistët më të mirë të aktivitetit u shpallën Xhorxh Frrokaj dhe Elmaz Kryeziu.
Duke kaluar te kampionët sipas peshave, në stilin grekoroman triumfuan: Andi Muça, Bajram Sina, Ergi Uku, Ardit Zeneli, Xhorxh Frrokaj, Klodian Shehu, Kevin Kupi, Kersin Nelaj, Julian Shehu dhe Griseld Kodra. Ndërsa në stilin e lirë kampionë për vitin 2025 u shpallën: Ervis Bardhi, Ardit Kryeziu, Endrio Avdyli, Zelimkan Abakarov, Elmaz Kryeziu, Islam Dudaev, Eriglent Prizreni, Orges Lila, Ibrahim Sula dhe Paris Karepi.
PANORAMASPORT.AL













