MUNDJE/ Kampionati Botëror, Albina Drazhi ndalet që në raundin kualifikues
Në Kampionatin Botëror të mundjes që po mbahet në Zagreb, Shqipëria u përfaqësua edhe në radhët e femrave, teksa dje në konkurrim u fut Albina Drazhi.

Kampionia kuqezi nuk arriti të bënte shumë rrugë në kompeticionin më të rëndësishëm të mundjes, pasi u mposht që në raundin kualifikuese. Drazhi nuk ia doli kundër gjermanes Sophia Schaefle, duel i vlefshëm për kategorinë e peshave 68 kg.
Sfida ishte e luftuar dhe u vendos me rezultatin 5-3 në favor të Schaefle. Pas Drazhit, mundësi i fundit në garat e Shqipërisë në Zagreb është Gjetë Prenga, i cili do të konkurrojë në stilin greko-roman, në peshat 67 kg. Duelet e kësaj kategorie do të nisin më datë 20 shtator. Prenga do ta fillojë nga raundi 1/16, ndërsa dje ka njohur edhe kundërshtarin, teksa shorti e ka vendosur përballë australianit Tsuchika Shimoyamadaa.
Në Botëror kanë mbyllur ndeshjet e tyre edhe 3 mundësit e natyralizuar kuqezi, Chermen Valiev, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët morën pjesë në duelet e stilit të lirë. Valiev arriti rezultatin të madh, duke mbërritur deri në finale, për t’i dhuruar Shqipërisë një medalje argjendi në kompeticionin më madhor të mundjes.
Ai fitoi katër duele për të mbërritur në finale, aty ku ishte pa fat, pasi sfida ndaj japonezit u kushtëzua nga një dëmtim i rëndë në gju. Ndërkohë Abakarov u eliminua në duelin e dytë, ndërsa Dudaev e mbylli rrugëtimin e tij që në ndeshjen kualifikuese.
PANORAMASPORT.AL













