MUNDJE/ Tirana dominon kampionatin, Ballabani dhe Prizreni më të mirët
Federata Shqiptare e Mundjes ka zhvilluar aktivitetin më të rëndësishëm kombëtar, kampionatin e të rriturve, eveniment që u mbajt për dy ditë në qytetin e Lezhës, më datat 29 dhe 30 nëntor.
Kampionati kombëtar pa të garonin mundësit më të mirë të vendit, të cilët dhuruan duele të forta dhe emocionuese në të gjitha peshat. Edhe një herë tjetër Tirana u konfirmua si superfuqi absolute në këtë sport, duke i dominuar të dyja stilet, teksa nxori numrin më të madh të kampionëve. Kështu bardheblutë mbrojtën fronin ekipor, si në stilin greko-roman, gjithashtu edhe në stilin e lirë për meshkuj, ndërsa shkëlqyen edhe në radhët e femrave.
Kështu në stilin greko-roman kampionë në peshat respektive u shpallën Ani Muça i Studentit, për të vijuar me armatën bardheblu të përbërë nga Ergi Uku, Bajram Sina, Ardit Zeneli, Klodian Shehu, Kevin Kupi, Juljan Shehu dhe Kevin Ballabani. Kampionë gjithashtu u shpallën edhe Gjetë Prenga i Besëlidhjes dhe Kelsi Nelaj i Flamurtarit. Vlerësimin e mundësit më të mirë të aktivitetit në stilin greko-roman e fitoi Kevin Ballabani i Tiranës. Duke kaluar në stilin e lirë, Tirana fitoi tetë nga dhjetë peshat, teksa me përjashtim të kategorisë 57 kg, ku triumfoi Ersjan Kashiku i skuadrës Jonas Wrestling, si dhe peshës 61 kg që u fitua nga Endrio Avdyli Teutës, duelet e tjera u veshën të gjitha bardheblu.
Kështu tituj kampionë fituan me radhë Klevis Preçi, Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev, Eriglent Prizreni, Chermen Valiev, Orges Lila, Emiljano Onuzi dhe Paris Karepi. Mundësi më i mirë i kampionatit në stilin e lirë u shpall Eriglen Prizreni i Tiranës. Në radhët e mundjes për femra, kampione u shpallën Marina Jaku e Teutës si dhe Esmeralda Nela, Celestina Gjuraj e Albina Drazhi të Tiranës. Kujtojmë që viti 2024 ka qenë historik për mundjes shqiptare, ku përveç shumë evenimenteve madhore ndërkombëtare që janë mbajtur në vendin tonë, Shqipëria për herë të parë fitoi medalje olimpike, dy të bronzta me Chermen Valievien dhe Islam Dudaevin në “Paris 2024”.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"