MOVIOLA E JAVËS SË 26-TË E SUPERIORES/ Rekord penalltish, VAR-i mbulon gafat në fushë
Kjo javë mund të veçohet nga të tjerat për 5 penalltitë e dhëna nga arbitrat, një pjesë të tyre direkt në fushë dhe të tjera nga teknologjia. Nuk munguan gabimet në fushë, siç në rastin e Laver Allës në Korçë, apo të njërit prej asistentëve në Durrës. Nuk munguan kontestimet.

Arbitrat dhe kapitenët para ndeshjes Skënderbeu-Egnatia
TEUTA-TIRANA 2-1
GJYQTARË: K.Cjapi (Fier), E.Ganxhi (Elbasan), E.Malo (Lushnjë); VAR: O.Ferataj (Patos), AVAR: E.Bylykbashi (Elbasan)
Në Durrës gjykoi Kreshnik Cjapi dhe rastet e diskutueshme nuk munguan, ku gabimet e arbitrave u korrigjuan nga VAR-i.
4’ Beshiraj shënon për Teutën, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë i anësorit Ganxhi. Sulmuesi ishte më i avancuar se mbrojtësi i fundit i Tiranës në momentin e pasimit nga Kruja.
13’ Sulmuesi i Tiranës, Ernest, shërben te Zharmuni, i cili e dërgon topin në rrjetë. Anësori Malo ngre flamurin për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit në sistemin VAR, rezulton se Zharmuni ka qenë “OK” në momentin e pasimit dhe kësisoj goli u konsiderua i rregullt.
46’ Toma i vjedh kohën Dembelesë dhe rrëzohet në zonë pas një dueli për të kapur topin. Pamjet filmike tregojnë se mbrojtësi i Tiranës e ka prekur i pari “sferën”. Nuk kemi të bëjmë me penallti për Teutën.
67’ Pas një harkimi në zonë të Përgjonit është Zharmuni që devijon me kokë te Ndreca dhe ky i fundit godet. Topi përplaset në trupin e Jazxhit dhe më pas prek dorën e Llocit. Cjapi vijon lojën, teksa bëhet fjalë për një devijim të pavullnetshëm, në distancë të afërt mes lojtarëve të Teutës. Nuk kemi të bëjmë me penallti për Tiranën.
71’ Pretendohet sërish penallti nga bardheblutë për prekje të topit me dorë nga Arifi në zonë, por Cjapi nuk e akordon. Vendim i drejtë, pasi topi prek pjesën e barkut të mesfushorit durrsak.
86’ Kotobelli driblon Markun dhe ky i fundit e pengon në zonë. Cjapi akordon penallti për Teutën. Vendim i drejtë.
SKËNDERBEU-EGNATIA 1-0
GJYQTARË: L.Alla (Lushnjë), M.Qose (Lushnjë), R.Mersinasi (Durrës), VAR: K.Bajramaj (Tiranë), AVAR: E.Bastari (Tiranë)
Ndeshja e luajtur në Korçë mes Skënderbeut dhe Egnatias, e fituar minimalisht nga vendësit, u gjykua nga Laver Alla, kurse në VAR ishte Kreshnik Bajramaj. Ishin dy momentet e dyshimta për këtë sfidë.
16’ Korçarët kërkojnë penallti për një kontakt mes Xhemajlit dhe Bismark në zonë, gjyqtari vazhdon lojën fillimisht, por pastaj ftohet nga VAR-i të rishikojë pamjet. Ai evidenton kontaktin mes dy lojtarëve dhe akordon penallti. Alla gabon në momentin e parë dhe më pas VAR-i e “shpëton” dhe merr vendimin e drejtë.
59’ Harkim në zonë nga Nikaj, topi preket me dorë nga Alijev. Korçarët protestojnë, por Alla lë lojën të vijojë, edhe pse prekja është e dukshme. Më pas ftohet nga VAR-i dhe pasi sheh pamjet bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë. Sërish gabim i arbitrit në momentin e parë, por që korrigjohet nga VAR-i.
PARTIZANI-BYLIS 2-3
GJYQTARË: D.Grimci, R.Çokaj, J.Podgorica (Shkodër), VAR: I.Myrtja (Shkodër), O.Kuka (Tiranë)
Ndeshja mes Partizanit dhe Bylisit u gjykua nga një treshe shkodrane me në krye Ditmir Grimcin. Ky i fundit arriti ta menaxhojë si duhet dhe vendosi saktë edhe në një moment të dyshimtë.
83’ Bintsuka pretendon për penallti pas një mbajtjeje në zonë, gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Pamjet tregojnë më shumë një përpjekje të dëshpëruar të kongolezit për të rrëmbyer 11-metërsh.
DINAMO-LAÇI 2-0
GJYQTARË: E.Çelaj, T.Kasa, F.Kolleshi (Vlorë); VAR: O.Yzeiraj (Patos), AVAR: D.Maletaj (Tiranë)
Kjo përballje ka pasur dy momente te dyshimta, penalltia e dhënë për Dinamon dhe ajo e pretenduar nga Laçi. Të dyja momentet janë zgjidhur në fushë nga kryesori Ermis Çelaj.
66’ Penallti për Dinamon. Nani hyn në zonë nga e djathta dhe pas një shtyrje të Limës humb ekuilibrin dhe rrëzohet, duke mos gjuajtur si duhet. Kryesori nuk heziton të bëjë shenjë nga pika e bardhë, pavarësisht protestave të kurbinasve. Për të qenë i sigurt merr edhe konfirmimin nga VAR-i. Prekja është e lehtë, për Çelajn mjafton për penallti, që duket pak “bujare”.
79’ Melo gjuan drejt portës pak hapa larg saj, topi ndalet nga Teqja dhe më pas nga Dita. Kurbinasit pretendojnë për prekje të topit me dorë nga Dita, por gjyqtari lë lojën të vazhdojë. Merr edhe një konfirmim nga VAR-i për këtë vendim. Pamjet nuk janë shumë të qarta për këtë rast.
VLLAZNIA-ELBASANI 1-1
GJYQTARË: E.Bastari, D.Rexha, E.Doda (Tiranë); A.Koçi (Durrës), A.Beqiraj (Tiranë)
Kryesori Erion Bastari u kontestua në disa momente nga të dyja skuadrat për faullet dhe kartonët. Ndeshja pati dy momente për moviolë, atë të penalltisë në favor të Vllaznisë, ku prekja me dorë qëndron, si dhe një kontakt mes Balajt dhe Olberkis.
26’ Bastari akordon penallti për Vllazninë dhe ka protesta nga elbasanasit. Ka një prekje të topit me dorë në fakt nga Olberkis, i cili është thuajse i shtrirë. Çështje interpretimi, ndërkohë që VARi nuk ndërhyn.
47’ Ka një kontakt Olberkis-Balaj në zonën e Elbasanit, por që duket shumë i lehtë për penallti dhe Bastari vazhdon lojën. Vendim i drejtë në këtë rast.
PANORAMASPORT.AL













