Moriero në spital, pritet dorëheqja e italianit. Pozitat e teknikut janë lëkundur ndjeshëm në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2026 | 9:39

Moriero në spital, pritet dorëheqja e italianit. Pozitat e teknikut janë lëkundur ndjeshëm në Vlorë

Françesko Moriero përfundon në spital nga ankthi. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” ekskluzivisht nga burime pranë klubit.

Moriero

Sikur të mos mjaftonte mungesa e rezultateve dhe situata tejet e vështirë, tashmë për vlonjatët ka dalë edhe një tjetër problem. Sëmundja e trajnerit italian. Gazeta mëson se Moriero nuk ishte ndjerë mirë në stërvitjen e fundit përpara ndeshjes me Partizanin, pra ditën e shtunë, ndërsa ka qenë i stresuar.

Në këto kushte, tekniku italian nuk është paraqitur në stadium dje, por konfirmohet se ka shtuar për trajtim mjekësor në spital. Por Moriero duket se vuan nga stresi. Edhe në 16 mars 2025, pra afërsisht një vit më parë, teksa drejtonte Laçin në ndeshjen me Bylisin në Ballsh, u ndje keq gjatë pushimit të ndeshjes dhe u transportua në qendrën shëndetësore ku mori edhe ndihmën mjekësore. Edhe në atë kohë u tha se shkak ishte stresi.

Megjithatë pas humbjes së djeshme me Partizanin, duket se pozitat e italianit janë lëkundur ndjeshëm dhe gjasat janë që ai të dorëhiqet me argumentin e problemeve shëndetësore. Atë që në fakt klubi e ka kërkuar gjatë këtyre javëve, mund ta bëjë vetë italiani që të dorëzojë dorëheqjen te presidenti Sinan Idrizi. Kjo gjë mund të ndodh qysh këtë javë, ndërsa mbetet për tu parë se çfarë zhvillimesh do të sjellë dita e sotme.

-Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj drejtuan Flamurtarin në ndeshjen djeshme, për shkak se trajneri Françesko Moriero mungoi për arsye shëndetësore. Peshën më të madhe të drejtimit të skuadrës, e ka mbajtur Ribaj.

– Sinan Idrizi e ndoqi ndeshjen në tribunë i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Kreshnik Çipi dhe drejtues të Partizanit.

– Erald Maksuti i lutet Zotit në nisje të ndeshjes me dy duar para. Pas shënimit të golit në minutën e 10-të, Maksuti lutet përsëri.

-Rikthehen tifozët pas shlyerjes së dënimit. Tribuna qendrore ishte e tejmbushur, por edhe tribunat e tjera. Mësohet se rreth 200 tifozë ndoqën ndeshjen. Në stadium edhe shumë gra, vajza dhe fëmijë.

-Valentino Murataj rikthehet si ish në Vlorë. Edhe portieri Pano Qirko, që ka dalë nga akademia e Flamurtarit. Ndërsa Herald Marku si ish i Partizanit, tashmë tek Flamurtari.

– Erald Maksuti shënoi dje golin e shtatë sezonal.

– Pas shënimit të golit të Flamurtari, Kërnaja shihet i nervozuar.

– Tifozët vlonjatë ofendime në kor ndaj arbitrit.

– Pas golit të dytë në pjesën e dytë të ndeshjes, Sidibe provokon tifozët vendas, gjyqtari i tërheq vëmendjen.

PANORAMASPORT.AL