Mesfushori i Kastriotit ka idhull Xhakën, Kasmollari: Ëndërroj Europën dhe një gol me Kombëtaren
Mesfushori Oresti Kasmollari, 20-vjeçari që u bashkua në verë me Kastriotin nga Dinamo, ishte ndër më të mirët në përballjen ndaj Besës, edhe pse krutanët u mundën 3-2 në shtëpi. Paraqitja e tij e mirë u kurorëzua edhe me trofeun “Lojtari i ndeshjes”, ndërsa momenti më i spikatur ishte supergoli i realizuar nga goditja e dënimit.
Pas ndeshjes, në një prononcim për “Panorama Sport”, Kasmollari foli jo vetëm për takimin ndaj Besës, por edhe për ëndrrat dhe objektivat e tij si futbollist. Ai ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave deri te U-19, ndërsa një rekord i veçantë për të mbetet fakti se u bë lojtari më i ri që debutoi me Dinamon në Superiore, 16 vjeç e 8 muaj. Asokohe trajneri Bledi Shkëmbi e aktivizoi si qendërmbrojtës, ndërsa më pas u vendos në rolin e tij natyral, atë të mesfushorit të qendrës.
Ndaj Besës shënuat një supergol, por Kastrioti humbi. Si u ndjetë?
Ndjej keqardhje që e humbëm këtë ndeshje. Për këtë arsye nuk më ka bërë të ndihem plotësisht i kënaqur as fakti që fitova trofeun e lojtarit të ndeshjes dhe shënova atë gol. Ishte një takim i vështirë, edhe për shkak të terrenit që nuk të lejon të zhvillosh lojën që dëshiron. Por, edhe mungesat e shumta në skuadër ndikuan disi.
Cilat janë ëndrrat e Oresti Kasmollarit?
Ëndrra ime është që një ditë të luaj në një kampionat europian. Ndjesia e madhe për mua do të ishte të shënoja një gol për Kombëtaren.
Si ka nisur lidhja juaj me futbollin?
Kam nisur futbollin që në moshën 6-vjeçare dhe që atëherë ëndrra ime ka qenë të bëhem profesionist. Hapat e parë i kam bërë në Pogradec. Familja ime ka qenë shtysa më e madhe për të vazhduar në këtë rrugë. Vëllai im i madh më ka qëndruar gjithmonë pranë me këshilla, por edhe babai dhe njerëzit më të afërt më kanë mbështetur shumë.
Keni veshur fanellën kuqezi që me U-15. Si e kujtoni debutimin?
Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm, siç ndodh me çdo fëmijë që realizon një ëndërr të tillë. Ndeshja ime e parë ka qenë kundër Kosovës. Një moment shumë i bukur, edhe pse rruga për të arritur deri aty nuk ishte e lehtë. Të përfaqësosh vendin tënd është një krenari e madhe dhe ëndrra ime vazhdon, sepse synoj të luaj një ditë edhe me Kombëtaren A.
Keni shënuar gola edhe me fanellën kuqezi…
Po, kam shënuar me U-17 kundër Skocisë. Ishte një emocion shumë i madh për mua, ndoshta një nga momentet më të bukura që kam përjetuar deri tani. Të shënosh për Kombëtaren Shqiptare, sidomos në një kompeticion europian, është një privilegj i madh.
Cili është pozicioni ku ndiheni më mirë në fushë?
Pozicioni im i preferuar është ai i mesfushorit të qendrës. Që i vogël kam luajtur në atë rol dhe aty ndihem më komod.
A ka ndonjë futbollist shqiptar që ju frymëzon?
Po, më motivon shumë Granit Xhaka. Mendoj se kemi një karakter të ngjashëm dhe më pëlqen shumë mënyra se si luan në fushë.
Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
Synimi im më i madh është që një ditë të luaj në një nga ligat më të forta të Europës. Për ta arritur këtë do të punoj shumë fort, me pasion dhe përkushtim, që të rritem çdo ditë si futbollist. Shpresoj që një ditë ta realizoj këtë ëndërr.
Abdulla Dushku-PANORAMASPORT.AL













