Mesazhet për të rinjtë dhe komentet negative, rrëfehen medalistët kuqezi në Lojërat OIlimpike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2024 | 22:50

Mesazhet për të rinjtë dhe komentet negative, rrëfehen medalistët kuqezi në Lojërat OIlimpike

Islam Dudaev dhe Chermen Valiev nderuan Shqipërinë teksa u paraqitën denjësisht dhe fituan medalje bronzi në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, të parat në histori për vendin tonë. Dy mundësit kuqezi ishin në Vlorë për të ndjekur nga afër stërvitjen e ekipeve të moshave të Flamurtarit, por njëkohësisht për të dhënë disa mësime praktike dhe leksione për të rinjtë e Vlorës që ushtrojnë sportin e mundjes.

455018293_18013552457580281_2238067439618603757_n

Teksa ndoqën disa seanca stërvitore të shoqëruar nga presidenti e Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni, nga palestra e mundjes së qytetit pohojnë se në Vlorë evidentuan talente. Dy kampionët e natyralizuar nga Rusia, flasin ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

DUDAEV – Islam Dudaev e nis prononcimin e tij me një mesazh për të rinjtë. “Jam shumë i kënaqur që gjendem në Vlorë dhe mes këtyre fëmijëve të mrekullueshëm. Pashë fëmijë shumë të talentuar këtu. Ju them të punojnë shumë dhe të dëgjojnë trajnerët e tyre, pasi unë kështu kam arritur deri këtu. Duhet këmbëngulje, karakter dhe shpirt. Ky sport e forcon njeriun. Nëse filloni një rrugë duhet të shkoni deri në fund. Rezultate herët apo vonë do të vijnë. Nëse doni të fitoni duhet të punoni më shumë se kushdo tjetër”, shprehet fillimisht Dudaev. Më tej ai tregon emocionet e Lojërave Olimpike: “Më dukej sikur ishte një ëndërr. Isha aq i tronditur sa nuk e kuptova plotësisht që kisha fituar një medalje. Kam filluar që të merrem me mundje kur isha 16 vjeç. Unë munda të arrija rezultate vetëm kur isha 29 vjeç.

Për shkak se kam nisur mundjen vonë, rezultatet i kam treguar më vonë. Dy muaj para olimpiadës mora kualifikimin për të garuar mes më të mirëve në Olimpiadë. Në Rusi veçanërisht në Kaukaz mundja është shumë e njohur. Është një sport popullor. Ne kemi lindur atje dhe që nga fëmijëria të gjithë aty janë marrë me mundje, mundje të lirë. Çdo fëmijë sapo mbush 6 vjeç dërgohet menjëherë në mundje. Konkurrenca në Rusi ishte shumë e fortë. Arsyeja e transferimit tim ishte pikërisht kjo. Për shkak të konkurrencës së lartë në Rusi unë isha numri tre në rajon. Për shkak të kësaj ishte shumë e vështirë të depërtoje dhe kalova në Shqipëri.

Këtu unë kuptova talentin dhe potencialin tim”, shprehet Dudaev. Ai flet edhe për racizmin që në disa raste ka hasur në Shqipëri: “Kur shoh lloj-lloj mesazhesh negative në rrjetet sociale mund të jetë fyese. Në botën e sportit këto transferime dhe të tjera janë gjëra normale. Për shembull në Republikën tonë në Çeçeni tre shqiptarë luajtën në kampionatin e futbollit. Të gjithë ishim të lumtur kur ata fitonin dhe shënonin gola. Sahit Prizreni besoi tek ne dhe na mbështeti shumë”, përfundon Dudaev.

VALIEV – Është vetëm 25 vjeç dhe një tjetër medalist i Lojërave Olimpike. Chermen Valiev thotë se ka mbetur i surprizuar nga talentet e Flamurtarit në mundje. “Urime Flamurtarit për këta fëmijë dhe të rinj të talentuar. Shoh që kanë një të ardhme të mirë. Të rinjtë duhet të merren me sport. Vlora dhe Shqipëria ka shumë sportistë të talentuar. Ky vend ka një të ardhme të mirë në mundje. Të merresh me sport, të bësh një jetesë të shëndetshme, të mos humbasësh kohë me gjëra të këqija, të ndjekësh shkollën, janë gjëra që duhet ti ndjekin fëmijët dhe të rinjtë”, shprehet fillimisht Valiev

. Më pas ai tregon për karrierën e tij, si mbërriti në Shqipëri dhe për suksesin në Lojërat Olimpike. “Unë u gëzova shumë që munda të sillja një medalje për Shqipërinë. Por më i lumtur jam për vendin tuaj që tani është edhe i imi. Kisha garuar më parë në Kampionatin Europian për të rinjtë, por Lojërat Olimpike janë diçka krejtësisht ndryshe. Në dy muajt e fundit unë jam përgatitur shumë fort. Bashkë me Islamin ne fituam kualifikimet në Turqi për Lojërat Olimpike.

Më pas puna jonë e gjitha u përqendrua aty. Kam lindur në Rusi, në Osetinë e Veriut. Transferimi im këtu ka ndodhur pasi në Rusi ka konkurrencë shumë të fortë. Vitet kaluan dhe sado që luftova nuk mora dot as në Botëror dhe as në Europian. Doja të tregoja veten. Të garoja në evenimente të mëdha, në Kampionatin Europian, në Botëror ose në Olimpiadë. Mua mu dha një mundësi e tillë që të transferohesha në Kombëtaren Shqiptare. Edhe Islami më tha të vija këtu. Kushtet janë shumë të mira. Njerëzit janë shumë mikpritës. Jemi krenarë që po lartësojmë këtë vend”, shprehet ai. Valiev ka një mesazh për shqiptarët. “Duhet të na mbështesin me forcë pasi ne lamë vendin tonë për të përfaqësuar Shqipërinë. Familja ime më mbështet shumë. Sahiti na mbështet gjithashtu. Faleminderit edhe Fidel Yllit, pasi edhe ai ka një kontribut të veçantë që unë të vija këtu”, përfundon Valiev.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"