Mes merkatos dhe mbijetesës, Bylis teston fatin me kampionët
Bylisi vijon përgatitjet dhe përqendrimin maksimal për sfidën e së shtunës ndaj Egnatias, ndërkohë që në kampin ballshiot lëvizjet në merkaton e dimrit kanë qenë deri tani të kufizuara. Klubi po ecën me kujdes, duke u përpjekur të ruajë ekuilibrat në një moment delikat të sezonit. Sa i përket daljeve, përveç futbollistëve që kanë ndërprerë më herët bashkëpunimin me klubin, si Karmona dhe Oliveira, para përfundimit të fazës së parë u largua edhe sulmuesi Runi, i cili ka vijuar karrierën te Teuta e Durrësit.

Në hyrje, deri më tani janë zyrtarizuar vetëm dy përforcime, portieri rumun Gurau dhe mbrojtësi Radu, të cilët tashmë po aktivizohen si titullarë dhe po japin siguri në repartet respektive. Në ditët e fundit të merkatos, Bylisi duket se është i përqendruar në dy fronte njëkohësisht, kampionatin dhe merkaton, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Siç dihet, Bylisi është një skuadër që shpesh bëhet “target” nga ekipet kryesore të elitës, por edhe nga klube të huaja, për shkak të lojtarëve që spikasin në Ballsh. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit tregohen të kujdesshëm dhe disi hezitues.
Nga njëra anë qëndron objektivi madhor i mbijetesës, që kërkon stabilitet dhe rrezik të kalkuluar, ndaj klubi nuk ka ndërmend të lëshojë “xhevahirët” e skuadrës, edhe pse ofertat për 4–5 lojtarë kryesorë nuk mungojnë. Nga ana tjetër, çdo largim do të kërkonte ndërhyrje të menjëhershme në merkato dhe zgjedhje të sakta për të mos prishur ekuilibrat e grupit.
Një alternativë e rëndësishme për të ardhmen mbetet edhe ekipi B i Bylisit, ku ka disa futbollistë që presin shansin e tyre dhe janë gati të shpërthejnë. Emra si Pjeshka, Emini, Abdullahi, Akibu, Sanogo, Hodo, Marku dhe Gabi e kanë treguar potencialin e tyre sa herë janë aktivizuar me skuadrën e parë. Ndryshe nga një sezon më parë, kur Bylisi ishte mjaft i fortë në ndeshjet në shtëpi, sidomos ndaj rivalëve direktë, këtë sezon mallakastriotët janë shfaqur më të brishtë në “Adush Muçaj”. Pikërisht për këtë arsye, ndeshja e kësaj jave merr një rëndësi të veçantë.
Bylisi ka nevojë urgjente të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të përfitojë nga fakti që rivalët direkt kanë përballje delikate. Tirana pret Flamurtarin, ndërsa Vora luan ndaj Teutës, çka mund të krijojë hapësira në renditje. Çdo pikë e humbur do t’i ndërlikonte edhe më shumë pozitat e ballshiotëve në luftën për mbijetesë. Statistikat e viteve të fundit, sidomos në elitë, flasin në favor të Egnatias për sfidat e luajtura në stadiumin “Adush Muçaj”.
Megjithatë, Bylisi synon të thyejë këtë ters përballë kampionëve në fuqi dhe kryesuesve aktualë të Superiores. Ballshiotët do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve të tyre, të cilët këtë sezon kanë pritur shumë nga ky ekip dhe ky grup lojtarësh.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













