Merkato e verës/ Rekordi i Skukës mbetet i pathyer
Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela u shitën në Ukrainë këtë verë, duke mbushur arkën e Dinamos. Sipas “transfermarkt”, të dy bashkë i sollën dinamovitëve 1.5 milionë euro nga Metalist 1925. Dhe pse pritej një rekord zyrtar në Superiore, diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Kështu shitja më e shtrenjtë e një lojtari nga futbolli shqiptar mbetet e Xhuliano Skukës. Marrëveshja mes Partizanit dhe Metz konkretizohej për 1.4 milionë euro. Një rekord ky për Superioren, i cili ka mbetur nga janari i vitit 2023. Partizani ndërkohë nuk ka shitur asnjë lojtar këtë verë. Ofertat kanë mbërritur në klubin e kuq për Prekën dhe Sembenen, megjithatë klubi u ka rezistuar për ta vazhduar projektin pikërisht me ta.
Megjithatë, deri në ditët e fundit të merkatos nuk përjashtohen surprizat. Çfarë mund të thuhet me siguri është se Partizani nuk do heqë dorë nga titullarët për shifra larg pritshmërive të klubit. Shitjet e fundit ishin të Tedi Carës, Kristian Mbas, Arinaldo Rrapajt dhe Andi Hadrojt. Largimet e tyre në merkaton e kaluar të dimrit i jepnin Partizanit rreth 1.5 milionë euro.
PANORAMASPORT.AL













