Mehdi Bushati: Ja si FSHF i fshehu trukimet. I pranoi veç pas presionit të medias e FIFA-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2013 | 13:05

Mehdi Bushati: Ja si FSHF i fshehu trukimet. I pranoi veç pas presionit të medias e FIFA-s

BushatiAi është një zë kumbues në futbollin shqiptar. Ndonëse i larguar paksa nga përditshmëria mediatike, mbetet gjithsesi një ndjekës i rregullt i sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti, duke ndjellë gjithnjë interes me analizat deri në detaj. Ka drejtuar për vite të tëra sportin në vendin tonë para ’90-ës dhe më pas ka qenë drejtues jo vetëm në klube, por edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Zëri i tij ka qenë gjithnjë një kambanë alarmi për FSHF-në, sidomos që pas 2002-shit, kur në krye të këtij institucioni erdhi Armand Duka. Në këtë kontekst, analiza e Mehdi Bushatit vlen më shumë se një intervistë e radhës, pasi në të gjendet në mos e vërteta lakuriqe, një pjesë thelbësore e kësaj të fundit. Një të tillë ia ka rezervuar futbolldashësve në faqet e “Panorama Sport”, me një analizë të Superiores për sezonin që sapo lamë, ku nuk mungojnë jo vetëm lëvdatat, por edhe kritikat konstruktive mbi çka duhet përmirësuar në të ardhmen e afërt.
Skënderbeu fitoi për herë të tretë radhazi titullin kampion, gjë që nuk e ka bërë asnjë skuadër jokryeqytetase më parë, si e shikoni këtë gjë?
Është pa dyshim një arritje madhore për atë klub dhe për Korçën në përgjithësi. Trofetë janë njëlloj, të vlefshëm sa duhet për këdo dhe nuk mund t’i ndash, por sipas meje ky titull ka qenë edhe më domethënës për Skënderbeun.
Pse?
Sepse, në ndryshim nga dy sezonet e fundit, nuk u përgojua për lëshime e tolerime dhe e dominoi me meritë kampionatin. Gati-gati nuk kishte rivalë. Dhe një gjë e tillë nuk ndodhi thjesht për anën financiare që ka ky klub, por edhe për një sërë komponentësh të tjerë.
Që janë?
Sipas meje: grupi i lojtarëve, stafi teknik dhe presidenca. Kur ky trinom funksionon mirë, atëherë edhe suksesi është i garantuar.
Me këtë logjikë i bie që te skuadrat e tjera, si Tirana apo Flamurtari, kjo gjë nuk ka funksionuar si duhet, apo jo?
Sigurisht, sepse përndryshe nuk do kishin dështuar në arritjen e objektivave sezonalë. Nuk e di dhe ndoshta gabohem, por kam përshtypjen se këtë vit Tirana ka qenë më keq se kurdoherë në dy dekadat e fundit, pasi nuk mori as kampionat, as kupë dhe nuk arriti as përfaqësimin në Kupat e Europës. E njëjta gjë edhe për Flamurtarin dhe Vllazninë, klube këto që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar.
Dakord, por nuk mund të ecet vetëm me histori…
Normal, pasi në të kundërt s’do duhej që Partizani dhe Dinamo të kishin luajtur këtë sezon tek inferiorët. Por ama duhet ta pranojmë që pa këto skuadra, niveli i kampionatit lë për të dëshiruar, pra nuk është në atë standard që mund të themi se jemi të kënaqur.
E keni fjalën për Partizanin dhe Dinamon?
Pikërisht, sepse të dyja bashkë bëjnë më shumë se 70 trofe të fituara. Janë dy klube legjenda të fundit, që i japin hov cilësor Superiores. Më vjen mirë që këtë sezon u ngjit Partizani, dhe shpresoj që vitin tjetër të hyjë mes më të mirave edhe Dinamo.
Nëse do t’ju kërkoja një pikë pozitive të kampionatit, ku do ndaleshit?
Pa diskutim te Kukësi dhe te finalja e kupës. Së pari, kuksianët meritojnë përgëzimet më të mira për arritjen gjatë këtij sezoni dhe më së shumti për stadiumin e ri që ndërtuan në kohë rekord. Së dyti, për Bylisin dhe Laçin, të cilët nuk kishin shkuar asnjëherë më parë deri në finalen e kupës. Dhe së treti, nuk mundet të lihet pa përmendur e lavdëruar puna te Teuta e Durrësit. Një klub model për nga organizimi dhe mikpritja. Vetëm atje nuk dëgjon kurrë që të ndodhë ndonjë incident, ndaj meriton vlerësim.
Po negative?
Trukimet, ky është fenomeni që po gërryen futbollin shqiptar. Nëse një institucion si FIFA, nëpërmjet institutit të specializuar të sigurisë, del dhe thotë se në Shqipëri, në Ballkan në përgjithësi dhe në Rusi, futbolli trukohet nëpërmjet kërcënimeve ndaj lojtarëve dhe nga presidentët, atëherë unë them se federata jonë duhej të ishte alarmuar. Nëse del presidenti i FIFA-s, Blater, dhe deklaron se: sikur edhe një ndeshje të jetë trukuar, ky është shqetësim i madh për mua”, të njëjtën gjë duhej të kishte bërë edhe FSHF-ja, dhe jo këto sinjale të qarta e të drejtpërdrejta t’i mbante të fshehura e gati hermetike për median dhe opinionin futbolldashës. Vetëm kur edhe “Sport Radar” na vendosi në vend të parë me 97 ndeshje të trukuara, atëherë federata u kujtua të lëvizte dhe t’i pranonte trukimet si fakt real. Për të mos anashkaluar këtu edhe dhunën, fenomen ky që nuk i ndahet futbollit tonë.
Përse, sipas jush?
Është fare lehtë e kuptueshme, sepse kemi të bëjmë me një kulturë të mangët sportive, sidomos në kategoritë inferiore. E patë atë që ndodhi në Iliria-Dinamo javën e shkuar, apo çka ndodhi në “Skënder Halili”. Ky vetëm futboll nuk mund të jetë. Shiko futbollin ndërkombëtar. Edhe andej ka rezultate të padëshiruara dhe ndonjëherë vijnë edhe si rezultat i ndonjë gabimi të arbitrit, por përsëri në fund të ndeshjes sheh lojtarët që përshëndeten me njëri-tjetrin dhe shkëmbejnë fanellat. Kjo lloj atmosfere miqësore i mungon futbollit tonë.
Për mendimin tuaj si mund të bëhet një gjë e tillë?
Pikë së pari duhet që ai që organizon garën, pra FSHF-ja, të jetë më e rreptë dhe e qartë me klubet që para fillimit të sezonit. Nuk duhet të licencojë klube që nuk plotësojnë kriteret më minimale dhe të vërë para përgjegjësisë vetë drejtuesit e klubeve ku dhuna është më prezente. Më thoni, pse nuk ndodh asgjë në Durrës apo edhe në Shkodër? Pasi atje, drejtuesit e klubit nuk shohin vetëm atë që ndodh në ekipin e tyre, por edhe organizimin e tifozëve dhe garantimin e qetësisë.
Kalojmë te një tjetër pikë, infrastruktura, si e shikoni në krahasim me vitet e shkuara?
Thuajse të njëllojtë, për të mos thënë që në disa qytete është drejt degradimit. Hiq një investim për t’u lavdëruar sikundër e përmenda më lart në Kukës dhe ndonjë rregullim tapeti atje-këtu, asgjë tjetër nuk ke çfarë të përmendësh. Unë gjithnjë krahasimin e bëj me atë çka ka qenë futbolli para dy dekadave dhe çfarë është sot. Kemi pasur një kryeqytet me mbi 30-40 ambiente sportive, ndërsa sot i numëron me gishtat e njërës dorë. Për të vazhduar edhe me një fakt tejet domethënës: “Qemal Stafa”. Ky impiant po bëhet gati barsoletë, sepse ka kohë që e dëgjojmë se prishet sot, e prishet nesër. Uroj që sivjet të paktën të nisin punimet, por jam gati i sigurt se do duhet nja 5 vjet deri në përfundim.
Në fakt, presidenti Duka ka thënë se përfundon në 2015-ën…
Dhe ju e besoni?!… Nejse, problem sipas meje prishja e “Qemal Stafa”-s do të jetë si për Kombëtaren, edhe për ekipet e kryeqytetit, pasi nuk ka stadiume të tjera të standardeve më minimale të kërkuara nga UEFA e FIFA për zhvillimin e ndeshjeve.
Ndërkohë, një kampionat ku edhe sivjet nuk munguan ndryshimet e shumta të trajnerëve, si e analizoni këtë fenomen?
Kjo tregon edhe amatorizmin e një pjese të mirë të atyre që drejtojnë klubet shqiptare. Ndryshimet bëhen gjithnjë mbi baza joprofesionale, kështu që nuk është çudi që vetëm Kukësi dhe Skënderbeu nuk ndryshuan trajner këtë sezon.
Dakord, por edhe në kampionatet më elitare ka ndryshime trajnerësh…
Po, por jo në këtë mënyrë sikundër në futbollin tonë. Sigurisht nuk pretendoj që në Shqipëri të keni ndonjë Ferguson që të qëndrojë 27 vjet në të njëjtën pankinë, por absolutisht më shumë respekt për detyrën e trajnerit. Sakaq, veç problemit të trajnerit vërej se kemi edhe një mbipopullim lojtarësh të huaj në kampionatin tonë. Mendoj se federata duhet të ndërhyjë dhe me politikat e veta t’i detyrojë në njëfarë mënyre klubet që ta kthejnë kokën nga akademitë dhe aktivizimi i lojtarëve të rinj. Në të kundërt, do kemi gjithnjë e më shumë një të ardhme të zymtë dhe të pasigurt.

KUSH ËSHTË MEHDI BUSHATI
Mehdi Bushati ka lindur në qytetin e Shkodrës më 20 shkurt 1939. Shkollën e mesme e ka kryer në qytetin e lindjes dhe nga 1958-1962 ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik. Nga viti 1963-1968 ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Juridik. Gjatë viteve 1958-1967 ka luajtur futboll me Dinamon, duke fituar me këtë skuadër disa tituj dhe kupa. Në vitet 1979-1989 ka qenë kryetar i Komitetit Shtetëror të Sportit, si dhe kryetar i Komitetit Olimpik të Shqipërisë. Nga viti 1989-1992 ka qenë shef i KS Dinamo. Nga viti 1998-2003, drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes së Impianteve Sportive Kombëtare. Më pas ka qenë për një legjislaturë (2006- 2010) edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF. Bushati ka qenë pjesë e një plejade të shquar lojtarësh si Panajot Pano, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Niko Xhaçka, Mexhit Haxhiu, Medin Zhega, Robert Jashari etj.

Bushati, “kritiku” që u nderua me pllakatë mirënjohjeje
Ai ka qenë shpeshherë kritik ndaj fenomeneve negative në futbollin shqiptar, duke thumbuar indirekt Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila është edhe organizatorja e garës. E megjithatë, në 70-vjetorin e lindjes, në 2009-ën, Bushati meritoi pllakatën e mirënjohjes nga FSHFja. Presidenti i kësaj të fundit, Armand Duka, i dorëzoi ish-kreut të Komitetit Shtetëror të Sportit çmimin gjatë një ceremonie të shoqëruar me një drekë miqsh në hotel “Tirana International”, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të federatës, ish-sportistë, bashkëkohës të Bushatit. Në atë drekë, edhe ish-kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Hysen Domi, e vlerësoi kontributin e Mehdi Bushatit, i cili ka qenë prej dhjetë vjetësh (1979-1989) kryetar i Komitetit Olimpik të Shqipërisë. Kujtojmë që si lojtar Bushati ka qenë edhe pjesë e Kombëtares, me të cilën ka zhvilluar 6 ndeshje ndërkombëtare. Ai ka luajtur kundër Bullgarisë, Holandës dhe Danimarkës.
LEONARD KARAJ