“Më vjen keq ku ka përfunduar Tirana”, Vrapi: Morali i lartë, Vora jo si inferiore në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2025 | 23:00

“Më vjen keq ku ka përfunduar Tirana”, Vrapi: Morali i lartë, Vora jo si inferiore në Durrës

Vora po përgatitet për javën e tretë të Superiores kundër Teutës në “Niko Dovana”. Trajneri Bellai do të ketë katër mungesa të rëndësishme, gjë që e vështirëson punën e tij për të marrë një rezultat pozitiv.

juregn vrapi

Jurgen Vrapi, i cili ka ndryshuar rolin e tij fillestar nga sulmues në një mbrojtës të fortë, foli për “Panorama Sport” rreth përgatitjeve dhe pritshmërive për këtë duel.

Si po përgatitet skuadra e Vorës për këtë takim të dytë në transfertë?

Skuadra jonë po përgatitet shumë mirë, ashtu siç veprohet para çdo ndeshjeje. Morali është shumë i lartë, pasi vijmë pas fitores ndaj Tiranës. Duke qenë se jeni rritur te Tirana, a ju erdhi keq për humbjen e saj ndaj jush? Unë te Tirana jam rritur që fëmijë, dhe normale që më vjen keq për gjendjen që po kalon skuadra bardheblu në këtë periudhë, jo për humbjen ndaj tyre. Por nuk ndihem keq sepse ka fituar ekipi im. Unë tani jam profesionist dhe e kryej detyrën time sa më mirë në ekipin ku punoj.

Çfarë synoni të jepni me Vorën në Superioren?

Do të jap maksimumin për ekipin. Jam te Vora për të tretin sezon radhazi, pavarësisht se kemi luajtur më parë në kategori inferiore. Erdha nga Skënderbeu i Superiores me një projekt afatgjatë që kishte klubi i Vorës dhe besova tek drejtuesit e klubit, veçanërisht presidenti Xhabafti. Tani ndihem i lumtur që arritëm ngjitjen në Superiore dhe edhe këtë sezon do të jem një nga kontribuuesit kryesorë për një kampionat sa më të mirë dhe të qetë për Vorën debutuese.

Përballja me Teutën, me çfarë synimesh shkoni në Durrës?

Ne do të shkojmë në Durrës për të marrë tri pikët, jo si inferior. Teuta ka një grup të ri dhe më të fortë se sezonin e kaluar, por ne do të shfrytëzojmë momentin e riformimit të tyre dhe do të kërkojmë të marrim tre pikët.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL