“Me Elbasanin një vitrinë futbolli, dhuna nuk e zbeh lojën”, Haxhiu: Tani duhet unitet te Flamurtari
Saimir Haxhiu komenton ndeshjen e fundit mes Flamurtarit dhe Elbasanit, një përballje që pati gjithçka brenda saj: rivalitet të fortë, emocione dhe tensione që më pas u shoqëruan edhe me incidente mes futbollistëve dhe tifozëve. Ish futbollisti i Flamurtarit, gjatë një interviste për “Panorama Sport” tha se në aspektin sportiv ishte një ndeshje e bukur dhe me ritëm të lartë, ku të dyja skuadrat hynë në fushë me objektiva të qarta.

Haxhiu thekson se për incidentet është informuar vetëm përmes mediave dhe se nuk e kupton përfshirjen e futbollistëve në situata të tilla, ndërsa shton se edhe pse reagimet e tifozëve janë të pajustifikuara, ato shpesh ndodhin në stadiume gjatë ndeshjeve të futbollit.
Ai nënvizon se gjithsesi këto episode nuk duhet të errësojnë vlerat e lojës dhe të asaj që u pa në fushë. Ish futbollisti vlonjat foli edhe për momentin që po kalon Flamurtari, duke u ndalur te ndryshimet në pankinë dhe rëndësinë e unitetit brenda skuadrës në këtë fazë vendimtare të sezonit. Ai është i bindur se Flamurtari nuk e vendos në diskutim qëndrimin në Superiore.
Haxhiu, me Elbasanin një ndeshje që i pati të gjitha, përfshi edhe dhunën ku u përfshinë futbollistë dhe tifozë. Keni një koment?
Ndeshja me Elbasanin ishte një vitrinë për një ndeshje futbolli, ku pati shumë rivalitet dhe shumë emocione. Një Elbasan si skuadër me rendiment në rritje, por edhe një Flamurtar që vinte pas një fitoreje shumë të rëndësishme me Vllazninë. Ishte një ndeshje shumë e bukur, ku triumfoi skuadra më e mirë në fushën e lojës. Tensionin e kam marrë vesh nga media dhe nuk e kam kuptuar përfshirjen e futbollistëve, sepse ajo e tifozëve, edhe pse e pajustifikuar, është pjesë e një ndeshjeje futbolli kur ndodh brenda ambienteve të stadiumit. Jashtë tij, përgjegjësitë janë në varësi të dëmit që shkaktojnë. Nuk e kam kuptuar pse gjithë ky acarim i tifozerive. Asgjë nuk ia zbeh vlerat lojës.
E prisnit humbjen me Elbasanin pas asaj fitoreje me Vllazninë?
Të them të drejtën, humbjen jo. Të paktën një pikë po, edhe nga entuziazmi, por edhe sepse skuadra ka rritje në lojën e saj.
Largimi i Morieros ishte vendimi i duhur?
Morieron, në fakt, e kam pritur të largohej më herët. Edhe vetë, si xhentëlmen, duhet të largohej, sepse nuk garantonte vazhdimësinë në arritjen e objektivit.
Mendoni se e ka ndryshuar skuadrën dyshja Ribaj-Liçaj?
Ribaj dhe Liçaj, për mendimin tim, janë gjetja e duhur në këtë situatë, por i takon klubit t’i konfirmojë me zë të lartë, që të ndjejnë pushtetin dhe përgjegjësinë e situatës, jo thjesht si shpëtimtarë të momentit. Pse e them këtë? Sepse nuk më pëlqen të shoh futbollistë që ndërrohen dhe varen buzët, apo të tjerë që bëjnë gjeste pakënaqësie nga fusha. Sinqerisht, jam shumë i mërzitur me këto gjëra, kur skuadra ka më shumë se çdo moment tjetër nevojë për unitet dhe harmoni.
Këtë javë luhet me Bylisin, si e parashikon?
Unë besoj te një rezultat pozitiv në Ballsh.
Përtej dëshirës, qëndron ky Flamurtar në Superiore?
Flamurtarin e shikoj të mbijetojë, nisur nga kalendari, por edhe nga tifozeria e zjarrtë brenda rregullave.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













