Me “2B” në majë ndaj Partizanit, gjetja e Martinit për sulmin e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2025 | 10:14

Me “2B” në majë ndaj Partizanit, gjetja e Martinit për sulmin e Vllaznisë

Kanë luajtur vetëm një ndeshje së bashku këtë sezon të Superiores, duke treguar shumë nga potenciali i tyre dhe ajo çfarë presin në kampin e Vllaznisë nga ana e dyshes. Fjala është për sulmuesit Bekim Balaj dhe Çarls Bismark, të cilët mendoheshin se do formonin çiftin sulmues të 9 herë kampionëve të vendit këtë edicion. Por, binomi “B-B” ka zbritur në fushën e lojës vetëm një herë së bashku këtë edicion të Superiores. Dhe kjo ka ndodhur në javën e 3-të të edicionit kundër Partizanit, kundërshtarit të kësaj jave për shkodranët.

BISMARK MALA

Në atë duel Vllaznia do të fitonte me rezultatin e thellë 4-1 ndaj të kuqve, ku të dy sulmuesit do të tregonin cilësitë e tyre. Me Balajn që shënonte dy herë nga dy penallti të fituara nga Bismark, e gjithashtu do të ishte edhe vetë ganezi që do të shijonte edhe golin e tij të parë dhe të vetëm deri tani për 9 herë kampionët e vendit tonë. Të dy sulmuesit treguan se kishin një “kimi” mes tyre duke qenë shumë të rrezikshëm për mbrojtjen kundërshtare.

E cila nga ana e saj nuk ishte e aftë të përballonte dy “gjigandët” e sulmit kuqeblu. Ku forcës dhe nuhatjes për gol të Balajt, iu shtuan edhe shpejtësia dhe potenciali fizik i Bismark. Ai takim dha shumë optimizëm se dyshja do të ishte një garanci për sezonin, por një dëmtimi i Bismark bëri që ai të qëndrojë 2 muaj larg fushave të lojës. Dhe me Balajn i cili në sulm më pas nuk kishte një partner të mirëfilltë, ku dyshen me 34- vjeçarin në javët pasardhëse e formuan futbollistë si Mala, Murataj apo Kastrati.

Të gjithë këta futbollistë që më shumë preferojnë të luajnë në krahë apo pas sulmuesit dhe jo në vijën e parë të ofensivës. Tashmë dëmtimi ka kaluar për Bismark dhe gjatë këtyre ditëve do të vendoset për gjendjen e tij fizike dhe nëse ganezi do të zbresë në fushë që nga minuta e parë ndaj Partizanit apo do e nisë nga stoli. Me stafin teknik dhe Martinin që tashmë janë të gëzuar, pasi binomi “B-B” do të rikthehet e patjetër do jetë një “telash” më vete për mbrojtjet kundërshtare të skuadrave të Superiores.

Screenshot 2025-11-20 101305

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL