Mbrojtja e Dinamos kthehet në “bunker”, pesë ndeshje pa pësuar gol para Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2025 | 14:51

Mbrojtja e Dinamos kthehet në “bunker”, pesë ndeshje pa pësuar gol para Vllaznisë

Dinamo ka pasur një fazë të parë me shumë oshilacione, ku pas një ndeshje shumë të mirë ndaj Vllaznisë, pësoi dy humbje radhazi e më pas një barazim zhgënjyes ndaj Bylisit. Dinamovitët u rikthyen te fitorja në derbi ndaj Tiranës, duke e mundur me rezultatin 2-1 dhe që nga ky takim, Dinamo nuk ka pësuar më asnjë gol. Ilir Daja duket se e ka gjetur mënyrën se si të kyçë prapavijën, duke krijuar në këtë mënyrë një siguri për javët në vazhdim.

Dinamo festa

Në 5 sfidat e fundit në kampionat, Dinamo nuk ka pësuar asnjë gol dhe për momentin, është skuadra me mbrojtjen më të mirë. Në 10 javët e para të luajtura, blutë kanë pësuar vetëm 4 gola dhe asnjë skuadër nuk ka shënuar më shumë se një herë ndaj tyre. Teuta, Elbasani, Tirana dhe Vllaznia janë ekipet e vetme që kanë arritur të thyejnë mbrojtjen e Dinamos, nga të cilat vetëm Teuta dhe Elbasani kanë fituar ndërsa dy të tjerat janë mundur.

Sa i përket prapavijës, Daja duket se ka futur të njëjtën filozofi te të gjithë lojtarët duke qenë se shpesh herë ka bërë ndryshime. Bruno Dita, Aliji, Teikseira, Beqja, Neziri, Lorran, Meksi e Maliqi janë lojtarët e aktivizuar këtë sezon në mbrojtje të Dinamos, teksa të gjithë këta, kanë bërë paraqitje shumë të mirë duke ndihmuar edhe sulmin. Këtë sezon, janë parë shpesh herë lëvizje të tilla nga Daja duke improvizuar pozicionet si rasti i Qardakut që luan para mbrojtjes, apo edhe i Vilës si mesfushor.

PANORAMASPORT.AL