Matias Lloci, i bindur: Teuta bën kthesën në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2025 | 9:34

Matias Lloci, i bindur: Teuta bën kthesën në Korçë

Teuta luan sot ndeshjen e javës së 22-të në Korçë, ku në stolin e saj debuton trajneri Bledar Devolli.

lloci

Durrsakët kanë fituar fazën e parë në këtë transfertë dhe shpresojnë që të njëjtën gjë të bëjnë edhe sot, edhe pse disa gjëra kanë ndryshuar. Në këtë moment, si Skënderbeu, ashtu edhe Teuta, janë në vështirësi dhe do të tentojnë kthesën nga kjo sfidë.

Për “Djemtë e Detit” ka disa rikthime të rëndësishme, siç janë Jazxhi Marku në mbrojtje, si dhe Lloci në mesfushë. Ky i fundit ka folur para ndeshjes së sotme ka folur për “Panorama Sport”. Mesfushori ka pranuar se Teuta vjen nga një javë jo e mirë dhe është shprehur se skuadra nuk e vuan presionin e renditjes, pasi llogaritë do të bëhen në maj.

A është gati Teuta për ndeshjen me Skënderbeun?

Besoj që po, nuk ka ndeshje të lehta në Superiore çdo kundërshtar është i rrezikshëm dhe të vë në vështirësi. Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga sfida si ajo me Partizanin dhe po mundohemi të reagojmë sa më shpejt, që në Korçë. Pas një jave jo të mirë si ajo e kaluara, duhet të marrim tri pikët.

Edhe Skënderbeu e ka jetike këtë ndeshje, sa mund të ndikojë ky fakt?

E dimë që është shumë e rëndësishme kjo ndeshje. Ashtu si ne, edhe kundërshtari ka humbur ndeshjen e fundit dhe kjo e bën më të vështirë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të arritur te suksesi. Do të jemi të përqendruar në aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Për të fituar duhen bërë gjërat pa gabime. Për të dy ekipet është një situatë pak e vështirë, por dua të flas për Teutën dhe besoj se është momenti që të bëjmë kthesën.

A kanë ndryshuar objektivat tuaja për këtë sezon?

Qëllimi parësor është përmirësimi i gjendjes në klasifikim, ku kemi humbur terren. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL