Marku paralajmëron Partizanin: Tani koha për fitoren e parë
Bylisi barazoi me Dinamon dhe në Ballsh mbetën të pakënaqur, sepse duhej ta fitonin atë takim për rastet dhe mundësitë që shpërdoruan, nga dy flagrante për çdo pjesë. Pika, sipas stafit, vlejti më shumë në aspektin moral dhe erdhi në një moment shumë të rëndësishëm, pas disfatës me Egnatian dhe në një transfertë me Dinamon, që është skuadra pretendente për titullin.

Mallakastriotët janë të fokusuar te sfida me të kuqtë, takim që do të zhvillohet të shtunën në Ballsh, ndërsa ndeshja pritet me interes, sepse sy për sy fitorja dhe deri më tani ka qenë “mollë e ndaluar” për Bylisin. Stafi mjekësor është në luftë me kohën për rikuperimin e Brunos dhe Përgjonit, prania e të cilëve në një duel si ky me të kuqtë në Ballsh është e domosdoshme. Vetëm nesër do të vendoset nëse të dy titullarët do të jenë ose jo gati ndaj Partizanit.
Ndërkohë, nga stoli kanë dhënë shenja pozitive si Ofori, ashtu edhe Koxhi apo Olamilekan, 19-vjeçari nigerian që ndaj bluve në debutim nuk bëri asnjë gabim në mesfushë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur një nga lojtarët e mallakastriotëve, mbrojtësi Aurel Marku, lojtari i Shpresave U-21 që luan sezonin e dytë në Ballsh dhe që e ka nisur si titullar, duke fituar besim dhe pjekuri javë pas jave.
“Morëm një pikë me Dinamon, por edhe nëse do të dilnim 3-pikët, ne do të ishim sigurisht më të kënaqur dhe do të ishin të merituara, sepse kemi bërë volum loje, por shpërdoruam edhe raste. Skuadra luan futboll të bukur dhe kjo është shumë pozitive dhe jep shpresë për vazhdimësinë. Personalisht këtë sezon po luaj si titullar dhe kjo patjetër më obligon që të bëj maksimumin tim javë pas jave.
Bylisi këtë sezon e ka thuajse organikën, ashtu si një vit më parë, dhe unë jam optimist për të ardhmen. Madje kam bindje të plotë se ndaj Partizanit ne do të hyjmë në fushë për të synuar dhe marrë tri pikët, sepse ka ardhur momenti dhe janë përmbushur kushtet për fitoren e parë. I jemi afruar me Tiranën dhe Flamurtarin e Dinamon sidomos, ndaj këtë javë, duke qenë se luajmë në shtëpinë tonë, duhet t’u bëjmë dhuratë tifozëve tanë tri pikët e para. Bylisi do të fillojë ngjitjen në renditje dhe personalisht synoj që këtë sezon të luaj sa më shumë minuta, të shënoj edhe gola pasi e kam dhunti dhe të kem një vend të stabilizuar në ekipin e Shpresave U-21″, tha Aurel Marku, shtatlarti i skuadrës së Bylisit.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













