Marashi firmos në Lezhë: Besëlidhja synon ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2014 | 9:26

Marashi firmos në Lezhë: Besëlidhja synon ngjitjen

MarashiTë shtunën, Besëlidhja zhvilloi miqësoren e parë në këtë fazë përgatitore. Lezhjanët u përballën me Vllazninë në Shkodër ku u mundën 3-1. Në atë takim, skuadra kishte disa mungesa të rëndësishme, si Mirsad Gruda, Arbër Shytani, Akil Jakupi apo edhe sulmuesi lezhjan Ruben Danaj, i dëmtuar në gju. Stafi teknik i kryesuar nga trajneri Sinan Bardhi po punon intensivisht për të karikuar skuadrën me ngarkesën e duhur fizike e teknike. Pjesa më e madhe e futbollistëve që janë afruar te Besëlidhja, tashmë janë zyrtarizuar. Deri tani kanë pranuar të veshin zyrtarisht fanellën e Besëlidhjes Bledar Marashi, Julian Malo, Milan Gjorgjeviç dhe Akil Jakupi. Marashi është një prej lojtarëve që ka pranuar të firmosë me Besëlidhjen. Futbollisti u largua nga Mamurrasi dhe ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Lezhë.
Marashi – “E pranova me kënaqësi ftesën e presidencës së Besëlidhjes, si një vlerësim për personin tim. Pas një uljengrije të pazakontë që pësoi Besëlidhja këto dy sezonet e fundit, përsëri është futur në korsinë e dëshiruar dhe shpresojmë se do të ngjitemi në Superiore. Deri tani në skuadër janë afruar shumë futbollistë cilësorë që vijnë nga Superiorja. Por, ky potencial ka nevojë vetëm që të vihet profesionalisht në punë, e jam i bindur se e ka këtë tagër stafi teknik i kryesuar nga trajneri Sinan Bardhi. Për sa i përket miqësores të së shtunës në Shkodër ndaj Vllaznisë, ne duhet të jepnim më shumë, jo për justifikim, por skuadra ende është në hapat e parë të stërvitjes dhe shumë futbollistë janë pa stërvitje fare”, përfundon Marashi.
PRENG GJIKOLA