“Mallkimi i shiritit” te Tirana, pse kapitenët ikin çdo sezon?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2025 | 8:15

“Mallkimi i shiritit” te Tirana, pse kapitenët ikin çdo sezon?

Te Tirana po krijohet prej vitesh një fenomen i veçantë, që tifozët tashmë e kanë pagëzuar si “mallkimi i shiritit të kapitenit”. Çdo sezon, pavarësisht kush nis me shirit në krah, historia përfundon thuajse njësoj, kapiteni largohet në fund të vitit. Dhe kjo dukuri po përsëritet prej pesë sezonesh radhazi.

dembele

RASTI I FUNDIT – Mahamadu Dembele nisi sezonin aktual si kapiten, por shumë shpejt drejtuesit vendosën t’ia hiqnin shiritin. Sot është Rimal Haxhiu ai që e mban përgjegjësinë, duke u kthyer në kapitenin e radhës që merr shiritin pas lëvizjeve të brendshme. Dembele është në rrugën e largimit.

PËRGJONI, MË PAS MICI – Florjan Përgjoni u caktua kapiten që në fillim të kampionatit 2024-2025, por një dëmtim e detyroi të ndalej. Vendin e tij e mori Gledi Mici. Ironikisht, të dy futbollistët u larguan nga Tirana në fund të sezonit.

NAJDOVSKI DORËZON SHIRITIN – Filip Najdovski mori shiritin në nisje të sezonit 2023-2024, por në mes të rrugës përgjegjësia iu besua Erjon Hoxhallarit. Edhe këtë herë, të dy lojtarët u larguan nga ekipi sapo sezoni përfundoi.

LIKA DHE ISMAJLGECI – Në sezonin 2022-2023, Ilion Lika ishte kapiteni zyrtar, por shiritin në fushë e mbante Marsel Ismajlgeci. Sezoni përfundoi me largimin e të dyve, duke forcuar edhe më shumë ndjesinë e “mallkimit”.

KAMPIONATI 2021-2022 – Edhe pse shiriti i takonte Ilion Likës, në praktikë ishte Erjon Hoxhallari ai që mbante përgjegjësinë në fushë. Në fund të sezonit, Hoxhallari u largua nga Tirana, duke nisur serinë e çuditshme që vazhdon deri sot. Pesë vite, shumë kapitenë dhe një përfundim i përbashkët, askush nuk qëndron. Te bardheblutë vazhdojnë të shtrojnë të njëjtën pyetje: mos vallë shiriti i kapitenit te Tirana është i mallkuar, apo thjesht rastësi e përsëritur që lidhet me lëvizjet e shumta në skuadër? Në një klub me presion të madh dhe pritshmëri të larta, duket se as shiriti i kapitenit nuk garanton stabilitet. Sezoni aktual do të tregojë nëse Rimal Haxhiu do të jetë përjashtimi… apo kapitulli i radhës i këtij fenomeni të pazakontë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL