LIGA E KONFERENCËS/ Dinamo njeh rivalët e mundshëm, pritet short i vështirë
Dinamo po bëhet gati për rikthimin në arenën europiane, teksa do të nisë aventurën e saj në turin e parë kualifikues të Conference League. Ndryshe nga Vllaznia, skuadra kryeqytetase është pozicionuar në vazon e ekipeve jo favorite, çka e vendos përballë kundërshtarëve potencialisht më të fortë që në shortin e parë.

Blutë do të duhet të shmangin disa emra të njohur të futbollit rajonal dhe lindor. Mes rivalëve më të vështirë të mundshëm janë Ballkani i Kosovës, Shkëndija e Tetovës nga Maqedonia e Veriut dhe Deçiç nga Mali i Zi, skuadra që kanë fituar eksperiencë të konsiderueshme në kompeticionet europiane vitet e fundit.
Po ashtu, në listën e kundërshtarëve të mundshëm për Dinamon bëjnë pjesë edhe RFS nga Letonia, Astana e Kazakistanit, Zhalgiris nga Lituania dhe Pjunik i Armenisë, ekipe me koeficient më të lartë dhe eksperiencë të vazhdueshme në kupat e Europës. Një tjetër grup skuadrash që ngjall interes janë ekipet gjeorgjiane Dinamo Tbilisi, Dila Gori dhe Torpedo Kutaisi, të cilat gjithashtu ndodhen në vazon e favoritëve dhe mund të jenë kundërshtare të Dinamos në raundin e parë.
Shorti do të jetë vendimtar për fatin e bluve. Një përballje me skuadra si La Fiorita, Atletic Klub d’Eskaldes apo Alashkert mund të konsiderohej më e përballueshme, ndërsa duelet me Ballkanin, Astanan apo RFS do ta vinin menjëherë Dinamon përballë një sfide shumë të fortë. Tashmë në kampin blu pritet me interes hedhja e shortit, ku objektivi mbetet kalimi i turit të parë dhe rikthimi i Dinamos si protagoniste në skenën europiane.
Sezonin e shkuar, Dinamo ishte një nga skuadrat më të dalluara shqiptare, duke arritur deri në “Play off”, aty ku u eliminuan nga Jagellonia e Polonisë pas një rrugëtimi shumë të mirë. Blutë arritën që të eliminonin një skuadër me emër, siç është Hajduk Spliti.
PANORAMASPORT.AL













