Kupa “Miqësia” rikthen legjendat e futbollit shqiptar në Shkodër
Pasditen e djeshme në Shkodër u zhvillua kupa “Miqësia”, një aktivitet i organizuar nga një emër i shquar i futbollit shkodran dhe shqiptar, Hysen Zmijani. Në garë morën pjesë katër ekipe: Vllaznia e veteranëve, Flamurtari i veteranëve, Kombëtarja dhe Miçigan United.

Katër skuadrat sollën shumë nostalgji për tifozët e pranishëm në “Loro Boriçi”, të cilët patën mundësinë të shikonin një herë tjetër emra të njohur të futbollit shqiptar si Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Bardh Jera, Rudi Vata, Vasil Ruci, Kreshnik Çipi, Sokol Kushta, Latif Gjondeda, Rrapo Taho, Alfred Ferko, Roland Iliadhi, Perlat Musta, Blendi Nallbani, Sulejman Demollari, Nevil Dede, Altin Lala, Ervin Fakja, Ilir Shulku, Agustin Kola, Shkëlqim Muça, Ledio Pano, Ylli Shehu, Arben Milori, Kristaq Mile, Perparim Kovaçi, Mirel Josa, Afrim Tole, Salvator Kaçaj dhe Artur Çobani.
Po ashtu, nuk munguan edhe miqtë nga SHBA, si Edmond Zejnuni, Kanto Lulaj, Tonin Kalaj, Arben Lumaj, Ferdinant Lumaj, Blerim Lumaj, Genci Çela, Nike Camaj, Yllin Sufaj, Shkëlzen Ndreu dhe Ardit Dushka. Dueli i parë ishte mes Vllaznisë dhe Flamurtarit, ku u përballën dy gjenerata të arta të futbollit shqiptar. Ndeshja ishte emocionuese, por pa gola gjatë 90 minutave. Kuqeblutë sigurojnë kalimin në finale falë fitores 2-0 në penallti.
Ndeshja tjetër, mes Kombëtares dhe Miçigan United, përfundoi 0-0 gjatë lojës së rregullt, ndërsa penalltitë vendosën për fitoren e lojtarëve nga SHBA, Miçigan United. Finalja i buzëqeshi ekipit vendas të Vllaznisë, që triumfuan 1-0 falë një goli të Valdano Nimanit. Kupa “Miqësia” solli emocione të forta dhe riktheu kujtime nga e kaluara e lavdishme e futbollit shqiptar. Sipas organizatorëve, aktiviteti do të zhvillohet edhe në vitet e ardhshme, me surpriza dhe pjesëmarrje më të gjerë.
E.ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













