Kryeqytetasit me mungesa në sfidën delikate të Superiores, mesfushori pret… Disiplinën
Dinamo do të presë Flamurtarin në ndeshjen e radhës në kampionat, e cila është planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” ditën e diel, duke nisur nga ora 16:30.

I gatshëm për këtë takim do të jetë tashmë Aliji i cili u rikthye në fushë ndaj Tiranës, por një mungesë e rëndësishme në mesfushë është ajo e Bakari Gudiabit. Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq pak ditë më parë kundër Tiranës në kuadër të kampionatit, teksa kartoni ishte për shkak të sjelljeve antisportive ndaj kundërshtarit.
Për këtë, Gudiabi do të jetë subjekt i Komisionit të Disiplinës, aty ku pritet të ketë një vendim sot ose nesër. Pjesa tjetër e skuadrës, nuk ka pasur probleme dhe grupi duket i plotë nën urdhërat e trajnerit Daja.
Skuadra nuk ka pasur kohë për pushime dhe menjëherë është rikthyer në fushë për të nisur përgatitjet për sfidën e radhës ndaj vlonjatëve, me të cilët synojnë fitoren e parë në kampionat për vitin e ri kalendarik. Në skuadrën blu, janë 4 futbollistë që rrezikojnë pasi janë në kuotën e 3 kartonëve të verdhë dhe bëhet fjalë për Bregun, Qardakun, Berishën dhe Malomon.
PANORAMASPORT.AL













