Klubi i Kategorisë së Dytë nuk ndalet në merkato, zgjidhet problemi i të huajve
Librazhdasit po vazhdojnë pa pushim stërvitjen këto ditë të para të shtatorit, teksa janë shumë aktivë edhe në merkato. Gjatë këtyre ditëve është nënshkruar portieri Herdis Alliu, i cili rikthehet tek ekipi i qytetit të tij pas disa sezonesh largimi.

Alliu nuk do ta ketë të lehtë të sigurojë një vend si titullar në formacionin bazë, pasi konkurrent ka portierin cërrikas, Renato Toromani. Si trajner portierësh ka ardhur Josel Shtrepi, edhe ai një ish-lojtar i Sopotit, kur ekipi militonte në Kategorinë e Parë me Gentjan Stojkun. Në mbrojtje, një afrim cilësor dhe i konfirmuar është ai i elbasanasit Alban Bicaj, i cili ka bindur drejtuesit për t’i ofruar një kontratë njëvjeçare, sidomos pas miqësores me Luzin të shtunën, ku Bicaj ishte autor edhe i një goli.
Për repartin e mesfushës është afruar Erlind Qehaja, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e Ilirisë. Sulmi konsiderohet i kompletuar me konfirmimin e Micit, Rreshkës, Myslymit dhe dy lojtarëve afrikanë, Nayara dhe Aminu. Drejtori teknik, Fatjon Xhafa, është në kontakt edhe me disa lojtarë të tjerë për të kompletuar në mënyrë perfekte çdo rol dhe repart, dhe priten afrime të reja edhe në ditët në vijim.
LEDION QOSHKU-PANORAMASPORT.AL













