“Kempesi gënjeu kur tha se donte Batistutën në Lushnjë”
Kostandin Grillo është një prej menaxherëve të parë të futbollit shqiptar, që ende kujton me nostalgji negociatat për ardhjen te Lushnja të kampionit të botës, Mario Kempes.
Nga pritja në Rinas dhe deri te bisedimet për afrimin e lojtarëve të huaj me shumë emër për kohën në skuadrën lagunare. Bëhet fjalë për vitin 1996, kur firmat piramidale lulëzonin në Shqipëri dhe futbolli po merrte një hov të madh falë investimit në disa klube.
Pak ditë më parë, ishtrajneri Kempes rrëfeu për mediat rumune se te Lushnja kishte tentuar të sillte edhe Gabriel Batistutën. Mirëpo, 20 vite më pas, Grillo tregon me detaje të vërtetat e asaj kohe. “Batistuta nuk u përmend kurrë sa qëndroi Kempesi në Shqipëri.
E vërteta e madhe është me yllin nigerian të atyre viteve, Xhei Xhei Okoça”, nis rrëfimin ekskluziv për “Panorama Sport” komentatori i njohur sportiv, që prej vitesh bën njëkohësisht edhe detyrën e menaxherit. Por si erdhi Kempesi te Lushnja, dhe pse ai nuk ishte zgjidhja e parë e Pëllumb Xhaferrit? Grillo mundohet të tregojë disa prapaskena të atyre viteve.
Trajneri
“Në atë periudhë, Pëllumb Xhaferri kishte vendosur të investonte fuqishëm te Lushnja dhe duke qenë se ishte tifoz me Brazilin, donte patjetër trajner brazilian.
Pas negociatave me disa agjenci menaxhimi, na erdhi një listë me 10 trajnerë të huaj të njohur, që ishin pa punë në vitin 1996. Xhaferri donte që trajner të vinte i mirënjohuri Tele Santana, që ka drejtuar edhe Kombëtaren e Brazilit.
Mirëpo, agjencia angleze që menaxhonte trajnerin brazilian, nuk iu përgjigj kërkesës sonë. Nuk kishin të bënin financat, por arsye të tjera.
Në këto kushte, emri më i bujshëm në listë mbetej Kempes. Xhaferri u bind dhe u vendos për argjentinasin, i cili nuk ishte një zgjidhje e parë.
Më shumë prej emrit të madhe erdhi, sesa prej suksesit si trajner”, tregon Grillo për mënyrën se si u zgjodh Kempesi në krye të Lushnjës.
Mbërritja
“Kjo ishte një histori më vete. Natyrisht për kohën, emocionet ishin të mëdha dhe si përfaqësues në negociatat me Kempesin, duhet të isha personi i parë që të kisha kontakt direkt me trajnerin sapo të mbërrinte në Rinas.
Mes shumë tifozëve të mbledhur, përveç meje, në Rinas për ta pritur kanë qenë Pëllumb Xhaferri, ish-zv.trajneri Hasan Lika, i cili komunikonte në italisht me Kempesin, menaxheri i trajnerit, Pier Paulo Montali, Genc Tufa dhe përkthyesi Mançe.
Mes entuziazmit, hipëm në makinat luksoze për atë kohë dhe Kempes donte që të qetësohej dikur për të diskutuar në një ambient jo të zhurmshëm.
Zgjodhëm të shkonim në Marikaj, në një lokal shumë të njohur, aty ku konsumuam drekën dhe më pas u nisëm drejt Lushnjës”, rrëfen menaxheri shqiptar, i cili bën këtë detyrë prej 23 vitesh.
Batistuta
“Kam lexuar pak ditë më parë se Kempes ka thënë në mediat rumune që negocioi me Batistutën për ta sjellë te Lushnja. Mendoj se është më shumë një histori qesharake, ose më saktë trillim.
Deri në momentin që ka qëndruar në Lushnjë, Kempesi nuk e ka përmendur kurrë emrin e Batistutës, që në atë periudhë ka qenë një lojtar shumë i njohur.
Në bisedat që kemi bërë, nuk ka pasur ndonjë rast që të shfrenonte fantazinë për lojtarë të tillë, që sigurisht nuk mund të linin Serinë A për të ardhur në Lushnjë”, sqaron Grillo për ish-bomberin.
Firma me Edunë
“Braziliani i parë, Edu, erdhi me pëlqimin e tij.
Kemi shkuar afro 10 veta në Qipro për të marrë kartonin e lojtarit. Edu ishte nën kontratë me Anorthosis në atë kohë dhe pas negociatave me klubin qipriot arritëm një marrëveshje. Edu pranoi të firmoste me Lushnjën për 50 mijë dollarë në vit.
Për atë kohë ka qenë një shifër e çmendur, por Xhaferri ishte i vendosur të bënte këto lëvizje. Kujtoj që kur kemi marrë kartonin e Edusë, e kemi festuar atë mbrëmje në Qipro, sikur të kishte ardhur Maradona dhe jo një lojtar normal, që gjithsesi bënte diferencën në Shqipëri.
Ka qenë ngjarje e madhe për vetë momentin që po kalonte vendi dhe futbolli ynë”, është shprehur menaxheri.
Nigeriani Okoça
“Xhei Xhei Okoça është i vetmi lojtar me shumë emër që zyrtarisht klubi i Lushnjës është futur në bisedime.
E kujtoj si një ngjarje emocionuese, pasi ashtu si në rastin e Edusë, kur shkuam një grup prej 10 vetash në Qipro, për Okoçan udhëtuam drejt Stambollit.
Në vitin 1996, nigeriani luante për Fenerbahçen, ndërsa Xhaferri kishte mik të ngushtë presidentin e klubit turk. Ishte gati të jepte një shifër të çmendur, por Okoçka kishte vetëm një vit që luante në Turqi dhe mrekulloi me paraqitjen e tij.
Për orë të tëra biseduam me drejtuesit turq, por ishte e pamundur që të gjendej një akord. Okoça ka qenë një ëndërr e Xhaferrit, por në këtë rast, nuk hyri fare në punë miqësia që kishte me presidentin e Fenerbahçes.
Kempesi besoi deri në fund se Okoça do të vinte, por turqit nuk mund të lëshonin një prej talenteve më të mëdha në atë periudhë”, përfundon rrëfimin Kostandin Grillo.
JORGIS MEMO













