Kastrioti kërkon reagimin, Laçi për konfirmim. Hasa optimist: Dimë si të mundim kryesuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2026 | 13:37

Kastrioti kërkon reagimin, Laçi për konfirmim. Hasa optimist: Dimë si të mundim kryesuesit

Ndeshja mes dy skuadrave fqinje, Kastrioti dhe Laçi, një përballje që ndër vite ka prodhuar emocione dhe rivalitet, do të luhet këtë fundjavë në stadiumin e Vorës, në kuadër të javës së 30-të të kampionatit. Dy skuadrat e Kategorisë së Parë, të ndara jo vetëm nga rivaliteti sportiv, por edhe nga afërsia gjeografike, vijnë në këtë sfidë me synime të qarta për fundin e sezonit.

KORABI KASTRIOTI

Përballjet mes tyre kanë qenë gjithmonë të forta dhe mjaft të luftuara, dhe njësoj pritet të jetë edhe kjo e radhës. Kujtimi më i freskët për tifozët mbetet ndeshja e fazës së dytë në “Redi Maloku”, ku krutanët, ndonëse në avantazh prej dy golash, u ndalën në barazim dramatik. Ishte Traore që me golin në minutat shtesë, njësoj si në fazën e parë ku kishte hapur serinë e golave, shuajti çdo shpresë të vendasve për fitore. Sa i përket formës aktuale, Laçi vjen në këtë përballje pas një ecurie më pozitive, me një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e fundit. Ndërkohë, Kastrioti i drejtuar nga trajneri Ndreu përballet me presionin e rezultateve, pasi vjen nga dy humbje radhazi, njëra prej tyre në shtëpi ndaj Kukësit.

Në prag të kësaj sfide, mbrojtësi i djathtë i krutanëve, Fabio Hasa, ka vlerësuar kundërshtarin, por njëkohësisht ka shprehur besimin se skuadra e tij do të reagojë. “Gjithmonë ndeshjet mes skuadrave fqinje karakterizohen nga lufta e fortë sportive dhe kështu parashikohet të jetë edhe këtë javë. Respekt për kundërshtarin, që me meritë ndodhet në pozicionin aktual në renditje. Megjithatë, jam optimist se do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje, sepse kemi treguar se dimë të fitojmë edhe ndaj skuadrave kryesuese”, është shprehur Hasa për “Panorama Sport”. Mbrojtësi 29-vjeçar ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të Kastriotit këtë sezon, duke u aktivizuar në 24 ndeshje dhe duke konfirmuar stabilitet në repartin defensiv. Tashmë, të gjitha rrugët çojnë drejt Vorës, ku pritet një tjetër kapitull i fortë i rivalitetit mes dy fqinjëve.

4 pikë i ka marrë Laçi Kastriotit në dy fazat e shkuara, ku kurbinasit fituan 3-1 në shtëpi, si dhe barazuan 2-2 në Fushë-Krujë.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL