Kastrati i jep fund makthit: Gati për Laçin… europian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2014 | 8:49

Kastrati i jep fund makthit: Gati për Laçin… europian

Laci-Bylis 1-0, finalja e kupes, Kastrati i fokusuarPara sfidës së fundit të kampionatit me Skënderbeun, me skuadrën kurbinase pat nisur përgatitjet së bashku me grupin edhe mbrojtësi i djathtë, Saimir Kastrati. Ky i fundit e ka lënë pas dëmtimin e pësuar gjatë fazës përgatitore në Spanjë në janar, që e la lojtarin jashtë fushave të blerta për rreth 4 muaj. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Kastrati shprehet se për të ka kaluar pjesa më e vështirë dhe tashmë do të jetë i gatshëm për skuadrën në ndeshjet e Ligës së Europës. “Dëmtimi i pësuar gjatë fazës përgatitore më la për shumë kohë jashtë fushave të blerta dhe normalisht që kjo nuk e bën të ndihet mirë një futbollist. Gjithsesi, për mua tashmë ka kaluar pjesa më e vështirë, pasi jam rikuperuar plotësisht. Madje, javën e fundit kam pasur mundësinë ta provoja veten edhe në fushë, së bashku me ekipin. Jam ndier mirë në fushë dhe kjo është diçka që më ngroh dhe më bën optimist. Aktualisht vijoj të kryej stërvitje individuale për të qenë gati në fillimin e përgatitjeve për sfidat europiane, në të cilat do të jem i gatshëm për teknikun Nica. Janë pothuaj dy muaj përgatitje dhe besoj se deri atëherë do të kem arritur në formën time më të mirë”, – u shpreh me optimizëm mbrojtësi Kastrati.
Merkato – Sfidat europiane në prag, sigurisht që i kanë vënë në lëvizje drejtuesit kurbinas për të bërë përforcime, por deri në këto momente nuk ka asgjë konkrete. Gjithsesi, krahas afrimeve, një proces tjetër i rëndësishëm është ai i konfirmimeve të lojtarëve të sezonit të shkuar. Javën e ardhshme pritet të mësohet më tepër mbi ata që do të vijojnë të mbeten pjesë e kurbinasve, apo do të largohen në skuadra të tjera.
Vladimir Prenga