Kapllani beson te Kastrioti: Ishte e vështirë kundër Apolonisë, në Peshkopi nuk dalim pa pikë
Skuadra e Kastriotit po vijon përgatitjet intensive në prag të ndeshjes së radhës, që do të luhet këtë fundjavë në Peshkopi. Në ditët e para të javës, krutanët po stërviten me ngarkesë të plotë, ndërsa drejt fundit të javës ritmi pritet të ulet gradualisht. Në seancën e fundit, të së premtes, ekipi do të punojë kryesisht me skema taktike në funksion të përballjes së radhës.

Një nga protagonistët kryesorë të Kastriotit në javët e fundit është sulmuesi Dejvid Kapllani, autor i golit të vetëm që i dha trepikëshin krutanëve ndaj Apolonisë. Paraqitja e tij u vlerësua maksimalisht, duke u shpallur edhe lojtari i ndeshjes. Kapllani u bashkua me Kastriotin pas transferimit nga Teuta dhe është kthyer në një pikë referimi të repartit ofensiv. Deri tani ai ka realizuar 8 gola në 20 ndeshje me fanellën krutane. Në karrierën e tij ka luajtur edhe me Teutën dhe Erzenin në elitën e futbollit shqiptar, si dhe me Fushë-Kosovën. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi u shpreh optimist për vazhdimësinë e skuadrës: “Te Kastrioti ndjehem shumë mirë, pasi kemi një grup lojtarësh të konsoliduar dhe një trajner me mjaft përvojë si Ramazan Ndreu. Jam i kënaqur me ecurinë e skuadrës dhe me faktin që jemi të pozicionuar në vendet e para të kategorisë. Rritja e paraqitjes ka ardhur falë cilësisë së lojtarëve dhe përkushtimit maksimal në çdo ndeshje, gjë që frymëzohet shumë edhe nga trajneri”. Duke u ndalur te fitorja e fundit, Kapllani shtoi:
“Ndaj Apolonisë ishte një fitore e vështirë dhe jam i lumtur që goli im shërbeu për tri pikët e skuadrës. Tani na pret një transfertë shumë e fortë në Peshkopi. Është një fushë e vështirë dhe një kundërshtar i fortë, por ne do të bëjmë maksimumin për të dalë me një rezultat pozitiv, të paktën të mos dalim pa pikë”. Sulmuesi 24-vjeçar nga Durrësi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje me paraqitjet e tij. Ai u përfshi edhe në formacionin më të mirë të javës së 23-të dhe konsiderohet një nga lojtarët në rritje, madje me fokus edhe në Itali. Nuk përjashtohet mundësia që në fund të sezonit Kapllani të transferohet te “Avezzano”, skuadër që militon në Serinë D italiane dhe aktualisht mban vendin e 11-të në renditje. Për momentin, fokusi i sulmuesit mbetet te Kastrioti dhe sfida e radhës në Peshkopi, ku krutanët synojnë të zgjasin serinë pozitive.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













