Kapiteni Abazaj beson te fitorja e Bylisit ndaj Partizanit: Të hyjmë si me Dinamon, por me ndryshimin që të shënojmë
Bylisi zhvilloi dje seancën e fundit stërvitore para sfidës së sotme me Partizanin, dhe e gjithë skuadra e drejtuar nga Mirel Josa është grumbulluar në kompleksin “Gjanica”. Mallakastriotët e shohin këtë ndeshje si mundësinë për të marrë fitoren e parë në shtëpi këtë sezon, ndërsa objektivi i qartë është marrja e 3 pikëve. Që nga fillimi i javës, stafi teknik dhe lojtarët kanë punuar intensivisht për të përgatitur taktikisht sfidën ndaj të kuqve, duke analizuar strategjitë e Partizanit dhe duke u fokusuar tek forcimi i presingut dhe kontrolli i topit gjatë lojës.

Kapiteni Marin Abazaj, në prononcim për “Panorama Sport”, theksoi optimizmin në ekip dhe përgatitjen e mirë të lojtarëve gjatë javës. “Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për sfidën me Partizanin. Pika e marrë ndaj Dinamos na rriti moralin dhe na ndihmoi për këtë periudhë delikate në garë. Duhet të jemi të kujdesshëm, të vlerësojmë kundërshtarin dhe të hyjmë në fushë si me Dinamon, por me ndryshimin që të shënojmë gol”, deklaroi Abazaj.
Ai shtoi se skuadra funksionon mirë në fushë, krijon raste dhe e shfrytëzon presingun ndaj kundërshtarit për të marrë iniciativën në lojë. Kapiteni gjithashtu u ndal tek afrimet e reja të skuadrës, që sipas tij janë adaptuar mirë dhe po ndihmojnë ekipin. “Ka ende lojtarë me eksperiencë që nuk e kanë bërë debutimin e tyre me ne, por besoj se skuadra do të rritet edhe më shumë. Për ne nuk është çështje vetëm e kualitetit, por edhe e eksperiencës së lojtarëve që kanë luajtur në nivele të larta. Kjo do të na bëjë më të fortë në javët në vijim”, shtoi Abazaj, duke treguar optimizmin për vazhdimësinë e sezonit.
FORMACIONI – Bylisi nuk do të ketë në dispozicion Aleks Peraltën, i pezulluar pas kartonit të kuq ndaj Dinamos. Megjithatë, kapiteni Abazaj shpreson të ketë në fushë Brumon dhe Përgjonin, dy nga lojtarët më të aktivizuar gjatë dy sezoneve të fundit. Trajneri Mirel Josa do të duhet të bëjë disa rregullime taktike dhe të gjejë zëvendësime për lojtarët e munguar, duke synuar të ruajë ekuilibrin mes mbrojtjes dhe sulmit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













