“Kam futbollistë që kanë 2-3 muaj pa skuadër”, trajneri Garsia besimplotë për triumfin e Flamurtarit ndaj Tiranës: Do të bëjnë diferencën
Flamurtari është gati për Tiranën! Në pronon cimin e dhënë për mediat përpara supersfidës në kryeqytet, trajneri Karlos Garsia, thotë se synimi janë vetëm tri pikët, për të shijuar fitoren e parë të kampionatit. Spanjolli e pranon se do të jetë e vështirë, por ka besim tek futbollistët që ka në dispozicion.

“Ndeshja kundër Tiranës është e vështirë. Ne do shkojmë për të fituar, për të vazhduar progresin në rritje të ekipit, për të treguar identitetin tonë. Jemi gati për ndeshjen. Jam shumë besimplotë tek lojtarët, tek puna dhe tek gjithçka. Kemi dy javë që nuk luajmë dhe dëshira është për t’u rikthyer në fushë”, shprehet fillimisht tekniku spanjoll.
SITUATA NË SKUADËR – Karlos Garsia ka folur edhe për përgatitjet e ekipit si dhe gjendjen e lojtarëve. Spanjolli thotë se pas pushimit me kombëtaret është tepër e rëndësishme sfida me Tiranën. Sipas Garsias kanë nevojë për ende pak kohë disa nga lojtarët që kanë ardhur së fundmi dhe që kanë qenë pa ekip 2-3 muaj. Tekniku e shikon me rëndësi që në ekip të ketë konkurrencë. “Mendoj se të gjithë futbollistët, stafi por edhe ne, e pëlqejmë konkurrencën sigurisht.
Është e vërtetë që kemi pasur katër lojtarë që kanë qenë me ekipet kombëtare, të cilët kanë patur edhe aty minuta për të luajtur. Kemi edhe disa lëndime por edhe disa lojtarë që duket se kanë nevojë të rikuperohen. Kryesisht futbollistët që kanë ardhur 10 ditët e fundit nga merkato nuk janë gati, pasi kanë 2 apo 3 muaj pa skuadër. Kështu që përgatitja është tepër e rëndësishme për ata, por është tepër e rëndësishme që këtyre futbollistëve t’iu jepen edhe minuta. Ata nuk kanë luajtur edhe në dy ndeshjet e para të kampionatit për shkak të këtyre arsyeve. Për të vazhduar dhe për të luajtur kur të jenë gati. Për ne është e rëndësishme dhe na pëlqen që të kemi konkurencë”, thotë Garsia.
CILËSIA DHE SKEMAT E LOJËS – Karlos Garsia ka komentuar edhe përbërjen e ekipit apo edhe skemat që ai do të përdorë, teksa garanton se fokusi i Flamurtarit ka qenë gjithë këto ditë tek përgatitja e ndeshjes me Tiranën. Moduli i lojës sipas tij mund të ndryshojë në ndeshje dhe ekipi është i përgatitur për gjithçka. Kërkon kujdes në këtë sfidë, teksa Karlos Garsia ka besim edhe tek cilësitë e lojtarëve që ka në përbërje dhe thotë se këto cilësi individuale do të bëjnë diferencën me Tiranën.
“Jam i bindur tek skemat e lojës. Nga sezoni në sezon nuk ndryshon vetëm një lojtar por ndryshojnë shumë. Edhe kundërshtari ka ndryshuar shumë dhe ne jemi të fokusuar plotësisht tek individualitetet e tyre. Ne luajmë me modulin tonë të lojës dhe ata kanë të tyren pasi kemi lojtarë të ndryshëm. Ne jemi të përgatitur për gjithçka që na sjellë sfida. E kemi pasur fokusin total këtë javë të gjithë tek Tirana dhe përgatitjet përket ndeshje. Besojmë se në sfida të tilla cilësitë individuale të lojtarëve do të bëjnë diferencën”, përfundon Garsia.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













