Jo vetëm Ujka, Egnatia bën gati një tjetër shitje. Protagonisti i titullit drejt firmës në Ukrainë pas ndeshjes në Champions
Klubi i Egnatias ka udhëtuar drejt Islandës për të luajtur atje ndeshjen e turit të parë kualifikues të Ligës së Kampioneve kundër Breidablik. Por paralelisht me punën në fushë, rrogozhinasit po punojnë intensivisht edhe në merkato, me afrime, por edhe me largime lojtarësh që sjellin të ardhura të rëndësishme në klub.

Pas sfidës së dytë me Breidablik, pritet që Serxho Ujka t’u japë lamtumirën kampionëve të Shqipërisë për të nisur një aventurë të re në Belgjikë. Por ai nuk do të jetë i vetmi. Mësohet se edhe një mbrojtës do t’i japë lamtumirën Egnatias pasi bisedimet për transferimin e tij në Ukrainë janë në një fazë të avancuar dhe pritet të konkretizohen pas kthimit nga Islanda.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Zamik Alijev, i cili iu bashkua një vit më parë skuadrës rrogozhinase. Mësohet se Egnatia është shumë pranë finalizimit të transferimit të lojtarit nga Azerbajxhani te NK Veres Rivne në kampionatin ukrainas të futbollit.
Nuk janë bërë të ditura ende shifrat e këtij transferimi, por Egnatia pret të përfitojë ekonomikisht nga largimi i një lojtari të tillë i cili falë eksperiencës në Shqipëri, fitoi edhe ftesën nga përfaqësuesja e vendit të tij.
PANORAMASPORT.AL













