Jo më eksperiment, Partizani do stabilitet! “Demat” ndryshuan 3 trajnerë në sezonin e fundit
Partizani po hyn në një nga periudhat më të rëndësishme të viteve të fundit, teksa në klub ekziston bindja se ka ardhur momenti për të ndërtuar një projekt afatgjatë dhe për t’i dhënë fund luhatjeve që kanë shoqëruar skuadrën gjatë sezonit të fundit.

Mbyllja e kampionatit në vendin e pestë dhe mungesa në “Final Four” konsiderohen si një sinjal i qartë se te të kuqtë duhen ndryshime të rëndësishme, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në mënyrën se si do të ndërtohet e ardhmja e klubit. Në ambientin e Partizanit ekziston bindja se skuadra ka potencial për të qenë sërish pretendente për titullin kampion, por që për ta arritur këtë duhet më shumë stabilitet dhe vazhdimësi në çdo hallkë të projektit.
MUNGESA E VAZHDIMËSISË Një nga problemet kryesore të sezonit të fundit ishte mungesa e qartësisë në drejtimin teknik. Partizani ndryshoi tre trajnerë gjatë kampionatit dhe kjo solli paqartësi në mënyrën e lojës, por edhe luhatje të vazhdueshme në rezultate. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kërkojnë që trajneri i ri të mos jetë thjesht një zgjedhje për momentin, por pjesë e një projekti që do të ketë vazhdimësi edhe në sezonet e ardhshme. Në klub kërkojnë një profi l që të ketë ide të qarta për mënyrën e lojës, për zhvillimin e futbollistëve dhe për mënyrën se si duhet të funksionojë skuadra në planin afatgjatë. Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e trajnerit konsiderohet si hapi më i rëndësishëm për të ardhmen e Partizanit.
ORGANIKA Një tjetër aspekt që po analizohet me kujdes lidhet me organikën e skuadrës. Gjatë sezonit të fundit, Partizani kishte një grup shumë të madh lojtarësh dhe në disa momente kjo u kthye në problem për menaxhimin e ekipit. Në klub ekziston ideja që sezoni i ardhshëm duhet të nisë me një grup më të konsoliduar dhe me më shumë ekuilibër mes repartesh. Drejtuesit synojnë të ruajnë boshtin kryesor të skuadrës dhe të afrojnë vetëm lojtarë që mund të rrisin realisht nivelin e ekipit. Objektivi është që Partizani të mos bëjë revolucion çdo verë, por të ndërtojë gradualisht një skuadër që mund të ketë vazhdimësi në kohë. Një pikë shumë e rëndësishme në projektin e ri pritet të jetë edhe besimi ndaj lojtarëve të rinj. Gjatë këtij sezoni, disa futbollistë të rinj arritën të fi tojnë hapësira dhe të tregojnë potencialin e tyre me ekipin e parë.
Emra si Marjus Kola, Tedi Malaj, Jata, Buxhelaj apo Fabio Hyseni konsiderohen si investime për të ardhmen dhe në klub duan që ky proces të vazhdojë edhe në sezonin e ardhshëm. Partizani synon të krijojë një identitet ku lojtarët e akademisë të kenë më shumë hapësira dhe të jenë pjesë e rëndësishme e projektit sportiv. Po ashtu, drejtuesit kërkojnë më shumë stabilitet edhe në aspektin organizativ. Në sezonin e fundit pati shumë ndryshime dhe momente tensioni, ndërsa tani synimi është që skuadra të punojë në një ambient më të qetë dhe me objektiva të qarta që në fi llim të kampionatit. Në klub ekziston bindja se Partizani duhet të ketë një identitet më të fortë në lojë dhe të jetë një skuadër më konstante gjatë gjithë sezonit, pa luhatjet që u panë në muajt e fundit të kampionatit të kaluar.
RAPORTI ME TIFOZËT Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe raporti me tifozët. Fundi i sezonit tregoi qartë se mungesa e rezultateve ndikoi edhe në atmosferën rreth skuadrës, me numrin e tifozëve në stadium që ra ndjeshëm. Për këtë arsye, drejtuesit janë të vetëdijshëm se projekti i ri duhet të rikthejë edhe entuziazmin në ambientin e kuq. Një skuadër konkurruese, me identitet të qartë dhe me stabilitet në rezultate konsiderohet mënyra më e mirë për të afruar sërish tifozët pranë ekipit.
SFIDA Në të njëjtën kohë, Partizani duhet të menaxhojë me kujdes edhe aspektin ekonomik, duke qenë se mungesa në Kupat e Europës do të ndikojë edhe në fi nancat e klubit. Për këtë arsye, drejtuesit nuk pritet të bëjnë lëvizje të ekzagjeruara në merkato, por do të fokusohen te afrime të menduara mirë dhe te ruajtja e balancave fi nanciare. Projekti i ri i Partizanit synon të ndërtojë një skuadër konkurruese jo vetëm për një sezon, por për disa vite me radhë. Në ambientin e kuq ekziston bindja se klubi ka gjithçka për t’u rikthyer sërish në nivelet më të larta të futbollit shqiptar, por që këtë herë duhet më shumë durim dhe vazhdimësi. Partizani kërkon të ndërtojë një projekt ku rezultatet të mos varen vetëm nga momenti, por nga një strukturë e qëndrueshme që mund të garantojë sukses në kohë. Pikërisht kjo mbetet sfi da më e madhe e klubit për sezonin e ardhshëm dhe për vitet që vijnë.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













