Ilir Daja “debuton” në stol, Dinamo e sheh si “hajmali”. Klubi paguan gjobën e penalizimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2025 | 10:26

Ilir Daja “debuton” në stol, Dinamo e sheh si “hajmali”. Klubi paguan gjobën e penalizimit

Dinamo do të luajë sot ndeshjen e pra pambetur kundër Teutës, ndeshje që duhej të zhvillohej në javën e parë të kampionatit, ndërkohë që ndeshjet e Dinamos në Ligën e Konferencës, bënë që ky takim të shtyhej për të datën 5 shtator, megjithatë sërish u shty. Naser Aliji ishte me Kombëtaren si edhe Hekuran Berisha me Kosovën U21 dhe në këtë mënyrë, ndeshja u spostua për ditën e sotme, në stadiumin “Niko Dovana” duke nisur nga ora 15:00.

daja

ILIR DAJA- Dinamo ka vendosur të paguajë gjobën për të pasur në stol Ilir Dajën. Trajneri u dënua pak muaj më parë në ndeshjen ndaj Vllaznisë në “Final 4”, për shkak të sjelljeve të gabuara, ndërkohë që ndaj Teutës do të jetë në stol pasi ai kishte shlyer gjysmën e dënimit, teksa gjysma tjetër mund të paguhet edhe me gjobë monetare, duke qenë në këtë mënyrë një rikthim i rëndësishëm për skuadrën.

GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo luajti ndaj Elbasanit me mungesa për shkak dëmtimesh, ndërkohë që ndaj Teutës ka arritur të rikuperojë në kohë dy prej 3 të dëmtuarve. Nani dhe Ledio Beqja, janë rikthyer në stërvitje me grupin dhe ndaj Teutës pritet të jenë të gatshëm për Dajën, ndërkohë që Guindo nuk ka arritur t’ia dalë edhe për këtë takim, duke munguar kështu në dy ndeshje radhazi. Gjithashtu i dënuar është Naser Aliji me karton të kuq, duke shtuar mungesat në kampin dinamovit.

NDESHJET DIREKTE- Në “Niko Dovana”, Dinamo e ka të vështirë të fitojë, të paktën që nga rikthimi i tyre në Superiore. Në vitin 2021, u zhvillua ndeshja e parë pas 10 vitesh mungesë, aty ku ndeshja mbyllej në barazim pa gola. Në 6 takimet e zhvilluar mes tyre në Durrës, Dinamo ka arritur të fitojë vetëm 1 ndeshje, është mundur në 2 të tjera, teksa 3 takimet mes tyre janë mbyllur në barazime.

NDESHJA- Takimi ndaj Teutës, fillimisht ishte planifikuar të luhej në mbrëmje, megjithatë vetëm 2 ditë para ndeshjes, u vendos që të zhvillohej në orën 15:00. Fakti që sonte në mbrëmje do të ketë ndeshje të Ligës së Kampioneve, e ndalon zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit, pasi nuk mund të ketë përplasje të orareve.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL