Gurishta me frakturë në hundë humbet sfidën me Elbasanin, Kuros në garë me kohën te Vllaznia
Te Vllaznia alarmi për gjendjen fizike të dy prej lojtarëve të repartit difensiv vazhdon të mbetet prezent në prag të sfidës së fundit sezonale. Bëhet fjalë për zëvendës kapitenin Erdenis Gurishta dhe mbrojtësin e krahut, Kuros, të cilët dolën me probleme fizike nga përballja e fundit ndaj Egnatias, duke shtuar shqetësimet në kampin kuqeblu.

Situata më serioze duket ajo e Erdenis Gurishtës. Mbrojtësi shkodran u detyrua të lërë fushën i dëmtuar pas një përplasjeje të fortë në pjesën e hundës gjatë takimit me kampionët. Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për një frakturë që nuk konsiderohet e lehtë për t’u kaluar dhe që kërkon kujdes të veçantë nga stafi mjekësor i skuadrës. Gjithsesi, te Vllaznia nuk kanë humbur shpresat që lideri i mbrojtjes të jetë i gatshëm për ndeshjet e Europës. Sa i përket sfidës me Elbasanin do mungojë për shkak të kartonit të kuq, por edhe është i dënuar nga Disiplina.
Te Vllaznia kanë garantuar se gjendja shëndetësore e Kuros rezulton optimale dhe nuk ka vend për alarm serioz. Pavarësisht kësaj, lojtari do t’i nënshtrohet disa ekzaminimeve shtesë në fillim të javës, më shumë për të shmangur çdo komplikacion të mundshëm dhe për të vlerësuar me saktësi gjendjen e tij para ndeshjes së fundit të sezonit.
PANORAMASPORT.AL













