Gruaja e parë në Ekzekutivin e FSHF-së, Anila Basha: Futbolli nën presion, nuk duhet rrezikuar finalja. Ja e vërteta e raportit të UEFA-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2022 | 18:02

Gruaja e parë në Ekzekutivin e FSHF-së, Anila Basha: Futbolli nën presion, nuk duhet rrezikuar finalja. Ja e vërteta e raportit të UEFA-s

Anila Basha ka thyer një tabu në historinë e FSHF-së, duke qenë e para grua që zgjidhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv. Gazetare me përvojë të gjatë dhe njëherazi shumë aktive në zhvillimet sportive, ajo ka vendosur të kontribuojë si drejtuese në organin më të lartë vendimmarrës të federatës. Në intervistën për “Panorama Sport”, Basha flet me detaje për situatën e krijuar pas asamblesë së 15 marsit.

anila basha

Ajo bën apel që të sheshohen konfliktet për të shmangur vendime drastike të UEFA-s, siç mund të jetë edhe heqja e së drejtës për të zhvilluar finalen e Conference League, e programuar për t’u luajtur në Tiranë më 29 maj.

Zonja Basha, ju u zgjodhët në Komitetin Ekzekutiv në FSHF, ndërkohë që ka shumë paqartësi për këtë procedurë. Ju mendoni se jeni legjitimë në këtë proces?

Ju falënderoj për këtë intervistë, që, në fakt, do të doja të kishte një konotacion të ndryshëm nga ky që po flasim, për paqartësi, kontradikta, konflikte… çka, në fakt, nuk i bën mirë askujt.

Nëse do të ishte çështja vetëm për debatin apo diskutimet, qoftë edhe mendime të ndryshme apo të kundërta, kjo do të ishte një gjë shumë pozitive. Por kur diskursi merr drejtim tjetër, atë të shpifjeve, duket se nuk i shërben asnjërës palë.

Qartësisht duhet thënë e sqaruar kjo edhe nga departamenti ligjor në FSHF, por e diskutuar gjerësisht edhe në mbledhjen e parë të Komitetit Ekzekutiv në FSHF, se asambleja e datës 2 mars 2022, që vazhdoi me disa pika të rendit të ditës në 15 mars 2022, është legjitime, e certifikuar nga delegatët e asamblesë që kishin të drejtë vote dhe e përshëndetur gjerësisht nga dy organizatat ndërkombëtare që monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme punën tonë, UEFA dhe FIFA.

Zyrtarët më të lartë të këtyre dy organizatave ndërkombëtare kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjedhjet në FSHF dhe pikat e tjera të diskutuara dhe vazhdojnë të besojnë se Shqipëria, komuniteti i saj i futbollit do të dijë të dalë përtej konflikteve shterpë që nuk i shërbejnë situatës.

Ju flisni për mbështetje, për konflikte, por në fakt jemi përballë vendimeve gjyqësore që akuzojnë kupolën drejtuese të FSHF-së për falsifikime…

Nuk i shmangem absolutisht kësaj pike, por nuk jam juriste. Kreu i departamentit ligjor, Topçiu, dhe anëtari i KE, Envi Hiçka, sqaruan më së miri në një dalje publike të gjitha të vërtetat ligjore, edhe të këtyre vendimeve për të cilat ju po flisni dhe mënyrën se si janë marrë ato.

Në dijeninë time, tuajën dhe mbarë opinionit sportiv në vend, vendimet e gjykatës u zbatuan. Fillimisht, pati një tërheqje të disa kallëzimeve që i hapën rrugë zhvillimit të mbledhjes së asamblesë dhe, së dyti, FSHF zyrtarisht njohu vendimin e gjykatës për njohjen e zotit Prodani si kreu i Shoqatës Rajonale Tiranë, pavarësisht se departamenti ligjor i FSHF-së po vazhdon procedurën ligjore për të kundërshtuar këtë vendim gjykate…

Por zoti Prodani dhe delegatët e Tiranës nuk u lejuan të ishin prezentë në asamblenë e 15 marsit, edhe pse duhet të ishin aty…

Këtu ka një perceptim të gabuar. Komisioni i verifikimit të mandateve, drejtuar nga zoti Kokëdhima, në takimin që ka pasur përpara zhvillimit të asamblesë së 15 marsit, i ka kërkuar zotit Prodani dhe delegatëve të zgjedhur prej tij të Shoqatës Rajonale Tiranë të sjellin dokumentacionin e plotë për mënyrën se si është zhvilluar mbledhja e asamblesë ku pretendohet se janë zgjedhur këta delegatë.

Në dijeninë time (por mund të pyesni zotin Kokëdhima për më gjatë), zotërinjtë nuk kanë sjellë asnjë vendim, letër, dokumentacion që të tregonte se anëtarët e Shoqatës Rajonale Tiranë kishin sjellë këta delegatë për atë asamble, me të drejtë vote.

Në këto kushte, kur mungon dokumentacioni, nuk ka se si të jenë prezentë në një forum ku përfaqësohet komuniteti sportiv. Kështu që, nuk ishte as njëra palë dhe as pala tjetër.

Ju abuzoni me atë që thoni për mbështetje të UEFA-s. Raporti i ardhur para procesit zgjedhor është një gjë tjetër nga ajo që ju thoni, edhe sipas pretendimeve të një prej kandidatëve për president, zotit Shakohoxha…

Unë nuk e di nëse zoti Shakohoxha ka dijeni për këtë raport, nëse atij i ka rënë në dorë ky dokument. Ajo që di, është se dokumenti u ka shkuar në dorë personave përgjegjës. Është një dokument me tetë faqe, të cilin personalisht e kam lexuar, por me të janë njohur tashmë edhe anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv në FSHF. Ka pasur debate dhe diskutime edhe brenda nesh nëse në këtë situatë duhet bërë publik ky dokument apo jo.

Unë vij nga fusha e gazetarisë dhe, si e tillë, jam dakord që gjithçka të bëhet transparente, sepse mendoj se e vërteta na tregon rrugën e qartë ku duhet të ecim. Problemi është se në klimën konfliktuale të krijuar mes politikës dhe futbollit (e pasens!!!) bërja publike e këtij raporti do të thoshte se kishte një palë që kishte fituar dhe një palë që kishte humbur.

Në vlerësimin dhe gjykimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, në këtë debat, nuk duhet të ketë të fituar apo të humbur, por duhet të ekzistojë vetëm një gjë: Më e mira për futbollin dhe më e mira për organizimin e një ndeshje kornizë si finalja e Conference League që për herë të parë pritet të luhet në “Air Albania” më 25 maj 2022.

Raporti i UEFA-s është shumë i qartë në të gjitha pikat, qoftë për ndërhyrjen në procesin zgjedhor në FSHF, qoftë për vazhdimin e debateve dhe si mund të ndikojë kjo për zhvillimin e finales së Conference League.

A kanë dijeni të gjithë anëtarët e komunitetit të futbollit për këtë dokument?

Ne kemi bërë raportime të shpeshta për ngjarjet në FSHF dhe debatet brenda komunitetit të futbollit. Si rrallëherë, në dy mbledhjet e asamblesë së marsit 2022, të gjithë presidentët e ekipeve të superiores ishin bashkë. Salla ishte e mbushur me njerëz që investojnë ditë për ditë për futbollin, nga paratë e tyre, të familjeve të tyre apo bizneseve të tyre. Si rrallëherë, ndërhyra politike në këtë proces i bashkoi aktorët në një front të vetëm.

Do të ishte shumë më mirë që gjithë këto përpjekje të kanalizohen në të mirë lojës më të dashur për shqiptarët; do të ishte më mirë të flisim se ku duhet të investojmë dhe ku duam të arrijmë; të flisnim dhe të debatonim për futbollin që te moshat, për përfshirjen e sa më shumë të rinjve dhe fëmijëve në lojën e bukur të futbollit;

të sa më shumë vajzave (fushë të cilën do ta mbuloj edhe unë personalisht në vazhdim) e si do të mundemi që energjitë t’i mbledhim për një legjislacion më të mirë, që ndihmon ata që investojnë në futboll dhe ata që duan ta luajnë lojën e bukur të futbollit.

Thënë këtë, prezenca e zotit Gravina në mbledhjen e parë dhe zotit Boniek në mbledhjen e dytë tregon fare qartë se çdo delegat i asamblesë së futbollit e ka të qartë mesazhin e FIFA-s dhe UEFA-s për zgjedhjet në FSHF. Mos po bëhet presion me faktin se Conference League do të zhvendoset nga Shqipëria?

Ne në FSHF po bëjmë përpjekjet maksimale që një gjë e tillë të mos ndodhë. Nuk është në të mirën e futbollit tonë, nuk është në të mirën e Shqipërisë dhe imazhit të saj. UEFA e ka thjesht një të shtypur butoni kur sheh se një vend, jo vetëm është i paqartë për strategjinë që duhet të ndjekë në futboll, por komuniteti gjendet në presion.

Di të them se në zyrat e FSHF-së punohet ditë e natë për një prezantim sa më dinjitoz për këtë ndeshje, ku do të presim me mijëra tifozë të huaj e mijëra turistë. Miliona euro do të vijnë në kryeqytet e në Shqipëri ato ditë e, mbi të gjitha, kjo ndeshje dhe organizimi i saj në Shqipëri do të jetë një kartolinë e bukur për imazhin e Shqipërisë dhe faktin se çfarë dimë të bëjmë ne, si dimë të organizohemi.

Unë them se askush nuk mund të prishë bukurinë e këtij eventi. Presidenti Armando Duka dhe kryeministri Edi Rama, duke përfshirë edhe përpjekjet personale të zotit Ceferin për këtë ndeshje, janë në kontakt të vazhdueshëm për ta bërë këtë realitet të prekshëm për të gjithë.

A ka një akord mes Ramës dhe Dukës sa u përket këtyre zhvillimeve? Është folur gjerësisht në media për një gjë të tillë?

Unë nuk jam e autorizuar të them nëse ka pasur marrëveshje apo çfarë ka ndodhur, por di të them se mes dy drejtuesve të lartë, të FSHFsë dhe qeverisë, ka komunikim të vazhdueshëm për të mirën e futbollit në vend dhe për të mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull.

Sepse, asnjëra palë nuk përfiton nga konflikti. Nuk përfiton futbolli, dhe po ashtu edhe politika. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës janë po aq të angazhuar për një ndeshje model.

Edhe ata pak individë në ndonjë zyrë shteti a gjykate që kanë mbetur pas në kohë me ndërhyrje e telefonata pa bosht, do të binden të kuptojnë se këtu nuk flitet për fatin e një individi me emrin Duka apo Shulku, por flitet për ngjarje madhore që kur të ndodhë, do t’i kërkojë të gjithë aktorët të jenë bashkë.

Le të jemi dinjitozë, siç na takon. Të jemi mikpritës e sportdashës siç i kemi treguar botës; të kthejmë emocionet e mëdha që na dha Kombëtarja në “Euro 2016” e tifozët tanë nëpër tribunat e mbarë Evropës, sepse ne dimë të japim më të mirën.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL