FSHF-ja i mbyll dyert, Tomori prezanton planin për stadiumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2017 | 19:35

FSHF-ja i mbyll dyert, Tomori prezanton planin për stadiumin

Stadiumi i Tomorit nuk është në gjendje më që të presë ndeshje të Kategorisë së Parë. Terreni është i rënduar, madje jashtë çdo standardi dhe një gjë e tillë u pa qartë në sfidën e fundit ndaj Pogradecit. Në një situatë të tillë, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të mbyllë stadiumin e qytetit të Beratit. Një vendim i tillë u është bërë me dije drejtuesve të klubit me anë të një letre zyrtare, ku komunikohet se Tomori nuk mund t’i zhvillojë më ndeshjet e ardhshme në stadiumin përkatës.

Tomori fusha e stadiumit

Gjendja aktuale e fushës së stadiumit “Tomori”.

Të kontaktuar nga “Panorama Sport” në lidhje me këtë çështje, drejtues të klubit kanë pohuar se në zyrat e tyre ka mbërritur një njoftim i tillë, teksa ndeshjet e Tomorit në vazhdim do të zhvillohen në stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës.

“Ka ardhur një shkresë e tillë në zyrat tona, teksa na është komunikuar se stadiumi ‘Tomori’ nuk është më në gjendje që të zhvillojë ndeshje të tjera futbolli në vazhdim. Kjo, pasi terreni është tepër i papërshtatshëm dhe se një gjë e tillë u duk edhe në përballjen e fundit ndaj Pogradecit.

Bashkia e Beratit ka çelur një buxhet në lidhje me këtë gjë, mirëpo gjithçka ishte parashikuar të ndodhte në fund të sezonit, për shkak se ndeshjet donim që t’i zhvillonim në fushën tonë, duke mos u penalizuar kështu në lidhje me realizimin e objektivave. Gjithsesi, ky është një vendim i FSHF-së dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë me përpikëri”, u shprehën drejtues të klubit.

Stadiumi Tomori projekti

Projekti i rikonstruksionit të fushës dhe stadiumit të Beratit.

Projekti

Më datë 27 dhjetor të vitit 2016, burime të sigurta për “Panorama Sport” bënë me dije se Bashkia Berat ka përcaktuar shpenzimet e klubit të futbollit, të cilat ishin 360 milionë lekë, por që ndryshe nga kjo u hartua dhe buxheti në lidhje me infrastrukturën. Stadiumi “Tomori”, një nga më të mëdhenjtë në vend me një projekt afatshkurtër, synohet të kthehet edhe një ndër impiantet më modernë.

Plani do të jetë i ndarë në dy faza. Faza e parë është shtrimi i tapetit në muajt në vijim. Vlera e tij do të kapë shifrën e rreth 100 milionë lekëve të vjetër, ndërsa në vitin 2018 do të nisë një tjetër projekt, i cili me një fond prej 450 milionë lekësh të tjera synon të bëjë një rikonstruksion total të stadiumit. Pas përfundimit të këtyre punimeve pritet që ky stadium dhe fusha e tij të marrin certifikim edhe nga UEFA për një nivel të caktuar ndeshjesh.

Ndeshja

Pas vendimit të ardhur nga Federata Shqiptare e Futbollit në lidhje me mosplotësimin e kritereve të fushës së stadiumit “Tomori” për të zhvilluar ndeshjet, klubi beratas ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Naftëtarit për t’i luajtur sfidat e tyre si skuadër pritëse në stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës. Duke nisur nga kjo javë, sfida e radhës për Tomorin, e cila është ndaj Shkumbinit, do të luhet në qytetin fqinj.

ERIS SYLYKU