Formula 1, Red Bulli “prenoton” pilotin e rivalëve në vendin e Vershtapen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2026 | 20:33

Formula 1, Red Bulli “prenoton” pilotin e rivalëve në vendin e Vershtapen

E ardhmja e Maks Vershtapenit te Red Bulli vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në botën e Formulës 1. Kampioni holandez mund të largohet nga skuadra austriake në fund të sezonit 2026 nëse rezultatet nuk përmirësohen dhe ai nuk arrin të qëndrojë mes pilotëve kryesorë të kampionatit deri në pushimin veror. Pakënaqësitë e holandezit me rregulloren e re teknike kanë shtuar spekulimet për një largim të mundshëm, madje disa media nuk përjashtojnë as mundësinë që ai të marrë një pushim nga Formula 1.

piastri

Pas rikthimit të garave me Çmimin e Madh të Mejemit, kanë nisur menjëherë edhe diskutimet për transferimet e mëdha të sezonit të ardhshëm. Sipas mediave italiane, emri që po përmendet më shumë si zëvendësues i Vershtapenit është Oskar Piastri. Piloti australian i MekLarenit konsiderohet një nga talentet më premtues të F1 dhe sezonin e kaluar luftoi për titullin kampion deri në fund.

Edhe pse pjesa e dytë e kampionatit nuk ishte aq e suksesshme, ai arriti të tregojë se ka potencial për të garuar në nivelet më të larta. Te Red Bulli besojnë se Piastri mund të jetë alternativa më e mirë e mundshme, pasi është pothuajse e pamundur të gjesh një pilot tjetër me nivelin e Vershtapenit. Australiani kombinon shpejtësinë, qetësinë dhe eksperiencën në një skuadër elitare si MekLaren. Një tjetër detaj i rëndësishëm është fakti që menaxheri i Piastrit është Mark Ueber, ish-pilot i Red Bullit, i cili njeh shumë mirë strukturën e skuadrës dhe mënyrën si funksionon ajo.

Kjo mund të ndihmojë në negociata dhe në përshtatjen e pilotit australian. Nëse Vershtapen largohet, destinacioni më i mundshëm mbetet Mercedesi, edhe pse nuk mungojnë spekulimet për një transferim surprizë te MekLareni. Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e zërave të merkatos që zakonisht e shoqërojnë Formulën 1 gjatë kësaj periudhe të sezonit. Duke u kthyer të Botërori 2026, ndalesa e radhës e kampionatit do të jetë në Çmimin e Madh të Kanadasë, event që do të zhvillohet fundjavën mes datave 22-25 maj.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL