Formacioni para Europës, Martini ka luks te Vllaznia. Dy rreshtime të gatshme
Vllaznia e “re” për sezonin 2025-26 duket se po merr formën nga dita në ditë. Praktikisht shkodranët kanë “blinduar” repartet e portës dhe mbrojtjes, ku në prapavijë patjetër mund të ketë edhe ndonjë surprizë në ditët në vijim, ku emri më i përfolur për t’u afruar në radhët e shkodranëve është ai i Mevlan Adilit. Me 9 herë kampionët e vendit që po ashtu kërkojnë përforcime të tjera kryesisht në mesfushë dhe sulm. Ku objektivat janë për të afruar në skuadër elementë me eksperiencë dhe që mund të bëjnë diferencën në çdo çast.

E po ashtu të jenë futbollistë me peshë dhe që mund të udhëheqin skuadrën drejt objektivave madhorë siç mund të jetë fitimi i titullit kampion. Trajneri Edi Martini aktualisht po mundohet të implementojë stilin e tij të lojës dhe skemën 3-5-2 tek shkodranët, që po përpiqen të interpretojnë sa më mirë idetë e trajnerit 50-vjeçar. Aktualisht, edhe pa përforcime apo afrime në merkato, Vllaznia i ka të gjitha rolet e dubluara bazuar në skemën 3-5-2 që përdor ishfantazisti.
Kështu nga një vëzhgim i “Panorama Sport” janë ndërtuar 2 formacione me futbollistët aktualë të kuqebluve. Duke hartuar kështu formacionin që në letër mund të jetë titullar për sezonin 2025-26 dhe “alternativat” e tyre. Me 9 herë kampionët e vendit që përveç titullarëve, në gjirin e tyre këtë sezon do kenë dhe futbollistë të rinj, të cilët priten të kenë shansin e tyre. Kështu formacioni titullar nga ajo çfarë është parë deri më tani dhe që mendohet të paraqitet në ndeshjen e Conference League kundër Daugavpils nis me Qarrin në portë.
Në mbrojtje do jenë treshja Bajrami, Jazxhi dhe Kuros, të cilët do të kenë edhe mbështetjen nga krahët të futbollistëve si Gurishta djathtas dhe Jago majtas. Në mesfushë duken se dyshja Krymi-Qato kanë aktualisht një avantazh ndaj kolegëve të tyre. Teksa në këtë repart pritet edhe Mala në një pozicion disi më të avancuar, për të mbështetur dyshen e sulmit Gruda-Balaj. Nga alternativat e kuqebluve në stol hipotetikisht ngelin futbollistë si Jukaj, Kruja, Repaj, Hakaj, Sala, Dodaj apo edhe Mensah. Që absolutisht nuk mund të konsiderohen jo titullarë deri në paraqitjen e parë zyrtare të skuadrës për sezonin 2025-26.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













