Formacioni anti-Partizani, një rebus i vërtetë te Tirana
Tirana zhvilloi dje seancën e radhës stërvitore në prag të sfidës së ardhshme, por situata në kampin bardheblu mbetet e ndërlikuar për shkak të problemeve fizike të disa lojtarëve kyç. Dy emra të rëndësishëm si Redon Xhixha dhe Johan Kortezi janë në dyshim serioz për takimin e radhës.

Xhixha ka nisur dje vrapimet individuale, duke dhënë sinjale pozitive për rikuperimin, megjithatë prania e tij në fushën e lojës duket shumë e vështirë. Stafi mjekësor dhe ai teknik nuk duan të rrezikojnë me sulmuesin në një moment kaq delikat të sezonit. Ai mbetet një nga pikat më të forta të repartit ofensiv dhe mungesa e tij do të ishte një goditje e ndjeshme për bardheblutë. Edhe Kortezi ka rifilluar stërvitjen, por me shumë gjasa nuk do të rrezikohet.
Qasja e stafit teknik është e kujdesshme, duke pasur parasysh ngarkesën e ndeshjeve dhe rëndësinë e fazës aktuale të kampionatit. Në stërvitjen e djeshme, futbollistët që luajtën në ndeshjen e Kupës zhvilluan vetëm gjysmën e programit, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës punoi me intensitet të plotë. Kjo ndarje është bërë për të menaxhuar lodhjen dhe për të shmangur dëmtime të tjera. Trajneri Ardian Nuhiji ka edhe 48 orë në dispozicion për të vendosur për formacionin përfundimtar. Sipas gjasave, Tirana pritet të rreshtohet me skemën 4-3-3, duke kërkuar balancë mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese.
Formacioni i mundshëm: Tafas(Bekaj); Vera, Lleshi, Halili, Ndong, Mysloviç, Meta, Rafael. Haxhiu, Ernest, Tare(Tabeku)
PANORAMASPORT.AL













