Florent Aziri nacionalist: Lë pasaportën gjermane për ta veshur fanellën kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2012 | 11:40

Florent Aziri nacionalist: Lë pasaportën gjermane për ta veshur fanellën kuqezi

I është bashkuar Tiranës vetëm 18 ditë më parë, por kaq pak i kanë mjaftuar Florent Azirit për të marrë duartrokitjet e para nga tifozët dhe një vend si titullar në skuadrën e Rubios. Kosovari, i ardhur nga Trepça e Mitrovicës, pohon se ndihet si në shtëpi te Tirana, ndaj me gjasë “do ngujohet” te ky klub të paktën për dy vitet e ardhshme. Me fanellën bardheblu ai shpreson të kapë edhe Kombëtaren shqiptare. Ndonëse ka nënshtetësi gjermane, Aziri konfirmon se është gati të heqë dorë nga kjo e fundit nëse do vishet kuqezi (kujtojmë që Gjermania ka një ligj, sipas të cilit nëse një lojtar me nënshtetësi gjermane zgjedh një kombëtare tjetër, atëherë ai automatikisht duhet të heqë dorë nga pasaporta gjermane).
Aziri, keni luajtur ndeshjet e para në Shqipëri, si ju duket futbolli këtu?
Kam luajtur dy ndeshjet e para me Tiranën dhe vërej se niveli i kampionatit është i kënaqshëm. Sidomos në ndeshjen me Teutën pashë që kishte mjaft rivalitet. Futbolli këtu është disi më fizik dhe goxha më ndryshe, të paktën për sa i përket futbollit në Kosovë. Normalisht është më lart sesa në kampionatin kosovar, pasi kompetiviteti është më i madh dhe ka më tepër lojtarë cilësorë, të cilët luajnë edhe në ekipe kombëtare.
Duket se nuk ju është dashur shumë kohë për t’u ambientuar, apo jo?
Po, sepse jam pritur mjaft mirë jo vetëm nga drejtuesit e skuadrës, por edhe nga shokët këtu. Ndoshta fakti që unë jam kosovar e flas shqip më ka dhënë mundësinë që të mos ndihem aspak i huaj. Më vjen mirë realisht, sepse kjo më bën që të fokusohem edhe më shumë tek ajo që është primare për mua: futbolli.
A ka futbollistë cilësorë në Kosovë, sipas jush, që mund ta përballojnë kampionatin shqiptar?
Në Kosovë ka shumë lojtarë të mirë, por që shpeshherë nuk kanë mundësi të luajnë në skuadra me emër si Tirana. Gjatë kohës që luaja me Trepçen, kam parë lojtarë me fizik dhe cilësi të mira, ndaj mendoj se ata mund të bëjnë diferencën edhe në kampionatin shqiptar. Megjithatë, kjo u mbetet në dorë skuadrave shqiptare që t’i sjellin dhe t’i aktivizojnë këtu.
Sakaq, jeni futur menjëherë në formacionin titullar…
Po, është e vërtetë dhe jam ndier gati i privilegjuar nëse mund të shprehem kështu. Ndonëse, unë nuk kam bërë asgjë më shumë sesa jam stërvitur mirë dhe i kam treguar trajnerit se çfarë di të bëj. Ai më pas ka parë dhe ka vlerësuar aktivizimin tim. Më vjen shumë mirë që shënova që në debutim dhe në një farë mënyre mora edhe duartrokitjet nga tifozët. Ata vijnë në stadium për të parë një ndeshje të mirë, ndaj është detyra jonë që të mos i zhgënjejmë asnjëherë. Shpresoj që edhe në ndeshjet e tjera ata të mbeten të kënaqur nga loja ime.
Do qëndrojë Aziri te Tirana edhe pas fundit të këtij sezoni?
Për momentin, unë kam një kontratë me Tiranën dhe dua me çdo kusht që të jap maksimumin me këtë skuadër, me qëllim që në fund të mund të fitojmë titullin kampion, por edhe kupën. Nuk e di se çfarë do ndodhë në fund të sezonit, pasi çdo gjë do shihet në varësi të asaj që do jap unë në fushë dhe asaj që do kërkohet nga klubi. Gjithsesi, unë jam i fokusuar të jap maksimumin dhe të qëndroj këtu.
Është Tirana një trampolinë për të shkuar në një skuadër tjetër më elitare në Evropë?
Unë jam një lojtar ende i ri dhe mundet që të luaj këtu edhe për dy vjet te Tirana, mjaft që të marr eksperiencën e duhur dhe më pas të shikoj për t’u aktivizuar në një kampionat më të fortë. Ky është pikë së pari synimi im dhe shpresoj që t’ia arrij.
Ju vini nga Gjermani, pse nuk qëndruat në kampionatin gjerman?
Unë kam luajtur me ekipe të mira në Gjermani në fillesat e mia, por kur erdhi koha që të rinovoja, për arsye nga më të ndryshmet nuk arrita ta bëja një gjë të tillë. Kisha shumë dëshirë që të luaja edhe në kampionate të tjera dhe tentova në Skoci, por edhe aty nuk firmosa, pasi oferta ishte e ulët. Megjithatë, tani jam te Tirana dhe shpresoj që të bëj sa më mirë këtu.
A mendoni se Tirana mund t’ju japë Kombëtaren?
Po, sigurisht që po. Kjo është një ëndërr, të cilën unë do bëj të pamundurën për ta realizuar.
Dakord, por ju keni pasaportë gjermane dhe jo shqiptare?
Po, kam pasaportë kosovare dhe gjermane, por dua të luaj për Shqipërinë dhe këtë e kam thënë më përpara dhe e përsëris. Sa i përket nënshtetësisë, të vijë ai moment që unë të thirrem në Kombëtare, se zgjedhjen mes Gjermanisë dhe fanellës kuqezi e bëj menjëherë. Jam i sigurt që nuk do ta kem të vështirë këtë gjë, pasi dëshira për të luajtur me Shqipërinë është më e madhe se çdo gjë tjetër.

Cikalleshi në Itali, prej… dhëmballëve
Sokol Cikalleshi ka qenë një prej lojtarëve që ka munguar dje në seancën stërvitore (përveç Klodian Duros, tashmë i pezulluar pa afat nga klubi e trajneri dhe nuk dihet se kur do kthehet, pasi Rubio ka theksuar se nuk e do ta ketë më në skuadër). Sulmuesi kavajas, i ardhur në merkaton e janarit te bardheblutë, mësohet se është larguar me leje të drejtuesve të klubit për në Itali me qëllim që të bëjë disa ekzaminime dentare. Lojtari ka pasur probleme me dhëmballët, të cilat sipas mjekëve ndikonin edhe në dëmtimin e tij, ndaj ka shkuar në shtetin fqinj për të bërë ekzaminime më të sofistikuara. Kujtojmë që Cikalleshi u dëmtua thuajse para një viti kur luante te Skënderbeu (i huazuar) dhe e kaloi pjesën e dytë të sezonit të vjetshëm, si dhe pjesën e parë të këtij sezoni larg fushave të blerta. Sulmuesi u kthye vetëm në dy ndeshjet e para të këtij viti me fanellën e Tiranës, në kupë ndaj Kastriotit, si dhe në kampionat ndaj Teutës, ku luajti si zëvendësues.
LEONARD KARAJ