Flamurtari humb yllin, sulmuesi i vlonjatëve drejt Rusisë! Ekipi i rënë nga Superiorja planifikon rikthimin me ristrukturim të thellë
Rënia nga Superiorja duket se do të sjellë një revolucion të vërtetë te Flamurtari.

Drejtuesit e klubit kuqezi kanë nisur tashmë të mendojnë për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri në Kategorinë e Parë, ndërsa sinjalet tregojnë se ekipi do të jetë pothuajse tërësisht i rinovuar. Megjithatë, burime pranë klubit bëjnë me dije se synimi kryesor është ruajtja e një boshti të rëndësishëm të grupit aktual, për të mos humbur eksperiencën dhe elementët cilësorë që spikatën edhe në një sezon të vështirë.
“Panorama Sport”, mëson se drejtuesit kanë nisur të studiojnë mundësinë e rinovimit me disa futbollistë, ndonëse numri i tyre pritet të jetë i kufizuar. Kontratat e pjesës më të madhe të lojtarëve përfundojnë më 31 maj, ndërsa futbollistët kanë vijuar të qëndrojnë në Vlorë edhe pas mbylljes së kampionatit. Madje, ekipi ka vazhduar rregullisht stërvitjet nën drejtimin e trajnerit Andi Ribaj, çka tregon se klubi po përpiqet të mbajë skuadrën aktive në pritje të vendimeve përfundimtare.
Në listën e futbollistëve që pëlqehen për të vazhduar me fanellën kuqezi janë portierët Aleskovski dhe Kaloshi, si edhe lojtarët Mbe, Diavara, Ememe, Luçiano Skuadrone dhe kapiteni Denis Pjeshka. Të gjithë këta konsiderohen si elementë që mund të krijojnë bazën e skuadrës së re, por gjithçka mbetet e hapur. Rënia nga elita e futbollit shqiptar ka ndryshuar shumë skenarë dhe nuk përjashtohet mundësia që vetë futbollistët të kërkojnë largimin për të vijuar karrierën në nivele më të larta apo në kampionate të tjera.
PËRFITIMET FINANCIARE Flamurtari duket se ka vendosur të përfitojë financiarisht nga merkatoja e verës. Emri më i rëndësishëm që pritet të largohet është ai i sulmuesit Erald Maksuti. Talenti 22-vjeçar, i cili ishte një nga pikat më të forta të skuadrës gjatë këtij sezoni, është shumë pranë transferimit në Premier League ruse te Akhmat Grozny. Për Maksutin u përfol fi llimisht një kalim te Galatasaray, por destinacioni i tij tashmë duket se ka ndryshuar përfundimisht.
Sulmuesi do të largohet jo vetëm nga Flamurtari, por edhe nga futbolli shqiptar, duke nisur aventurën e tij të parë jashtë vendit. Performancat e tij gjatë këtij sezoni kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, pasi 22-vjeçari realizoi 12 gola dhe dhuroi edhe 3 asistime, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të kampionatit. Te skuadra ruse, Maksuti pritet të gjejë edhe një tjetër futbollist shqiptar, mbrojtësin e Kombëtares kuqezi Klisman Cake, i cili aktualisht është pjesë e Akhmat Grozny.
Ky fakt konsiderohet si një lehtësi për ambientimin e sulmuesit shqiptar në kampionatin rus. Por merkatoja e largimeve nuk pritet të ndalet me kaq. Drejtuesit e klubit po punojnë edhe për shitjen e mbrojtësit ekuadorian Aleks Peralta. Futbollisti, i ardhur nga Bylisi, mbetet një nga asetet më të rëndësishme të klubit dhe interesimi për të vjen kryesisht nga Turqia.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se disa skuadra turke po ndjekin situatën e Peraltës dhe një transferim gjatë verës duket shumë i mundshëm. Në këtë mënyrë, vera te Flamurtari pritet të jetë tepër e nxehtë. Mes largimeve, shitjeve dhe tentativës për të ndërtuar një skuadër konkurruese për rikthimin në elitë, drejtuesit kuqezi kanë përpara një nga merkatot më të rëndësishme të viteve të fundit.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













