Flamurtari dhe dilema e shqiptarëve, trajneri Garsia duhet të sqarojë lojtarët vendës
Që në nisje të sezonit, “Panorama Sport” ka evidentuar faktin se Flamurtari i këtij edicioni është një skuadër shumëkombëshe, e ndërtuar sipas logjikës së tregut të lirë të futbollit modern. Në vetvete, kjo nuk është problem, përkundrazi sjell diversitet dhe konkurrencë. Por pyetja që po lind çdo javë është: pse lojtarët shqiptarë të Flamurtarit nuk po marrin hapësirën që meritojnë? Shqiptarët mbeten në pritje të minutave.

Në listën e lojtarëve vendas që nuk po shijojnë minuta janë emra me eksperiencë si Bruno Telushi, Denis Pjeshka, Valentino Murataj, Ariol Kaloshi dhe Idriz Batha (ky i fundit i dëmtuar). Në rastin e Telushit dhe Muratajt, dëmtimet janë lënë pas, por pavarësisht kësaj, trajneri Karlos Garsia nuk u ka dhënë ende hapësirë. Burime brenda skuadrës pohojnë se lojtarët shqiptarë ndjejnë pakënaqësi, të cilën e kanë shprehur “nën zë”. Megjithatë, për të mos tensionuar klimën në një moment të vështirë për skuadrën, ata kanë zgjedhur të sillen me profesionalizëm, pa polemika publike.
TENDENCA E QARTË- Nga ky vëzhgim shihet qartë se vetëm Lorenc Trashi, Aldrit Oshafi, Herald Marku dhe në disa raste Maksuti kanë marrë minuta të rregullta. Pjesa tjetër e lojtarëve shqiptarë ose qëndron në stol, ose nuk grumbullohet fare. Ky është një sinjal që trajneri Garsia ka vendosur të mbështetet më fort te grupi i huaj, duke e bërë konkurrencën për vendasit shumë më të vështirë. Një qasje që mund të sjellë pasoja afatgjata, pasi lojtarët shqiptarë jo vetëm që nuk po zhvillohen, por rrezikojnë të humbasin motivimin.
DILEMA QË KËRKON ZGJIDHJE- Nëse Flamurtari do të mbetet një skuadër e bazuar kryesisht te lojtarët e huaj, atëherë drejtuesit duhet ta thonë hapur. Por nëse klubi synon të ndërtojë një projekt afatgjatë, atëherë është e domosdoshme të gjendet balanca mes lojtarëve të huaj dhe shqiptarëve. Përndryshe, rrezikohet që skuadra të humbasë identitetin vendas dhe lojtarët shqiptarë të mbeten vetëm dekor në pankinë.
VËZHGIMI NDESHJE PAS NDESHJEJE
Një analizë e aktivizimit të lojtarëve shqiptarë në ndeshjet e deritanishme tregon qartë prirjen e trajnerit:
FLAMURTARI – ELBASANI 1-0
Titullarë: Trashi, Oshafi, Maksuti, P. Pjeshka.
Zëvendësues: Herald Marku
Të grumbulluar, por pa minuta: Kaloshi, D. Pjeshka.
BYLIS – FLAMURTARI 3-3
Titullarë: Trashi, Oshafi, Maksuti.
Nga stoli: Herald Marku.
Pa minuta: Kaloshi, Telushi, D. Pjeshka.
Jashtë grumbullimit: Janku, Murataj, Telushi.
FLAMURTARI – TIRANA 1-1
Titullarë: Trashi, Oshafi, Maksuti.
Nga stoli: Marku.
Pa minuta: Kaloshi, Telushi, Janku.
Mungoi për shkak dëmtimi: D. Pjeshka.
FLAMURTARI – VORA 0-1
Titullarë: Trashi, Oshafi, Marku.
Nga stoli: Maksuti.
Pa minuta: Kaloshi, Telushi, Janku.
Mungoi për shkak dëmtimi: D. Pjeshka.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













