Evropiani i të rinjve, kuqezinjtë gati për ring

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2012 | 11:26

Evropiani i të rinjve, kuqezinjtë gati për ring

Dy ditë nga starti zyrtar i kampionatit evropian të boksit për të rinj, arena e të cilit këtë edicion do të jetë Sofja e Bullgarisë, kombëtarja shqiptare ka bërë publikuar listën e sportistëve pjesëmarrës. Në kompeticionin kontinental që mbahet nga 22 qershori-1 korrik në pallatin e sportit “Festivalna Hall” Federata Shqiptare e Boksit do të përfaqësohet me elitën e kësaj grupmoshe me nëntë pesha, përkatësisht: Edison Zani (pesha 50 kg), Rexhildo Zeneli (pesha 52 kg), Krenar Zeneli (pesha 54 kg), Ervin Mzhiku (pesha 57 kg), Mani Çela (pesha 60 kg), Edmond Lecini (pesha 63 kg), Syrja Marinaj (pesha 75 kg), Andrea Derjaj (pesha 80 kg), Jurgen Uldedaj (pesha +80 kg). Kombëtarja kuqezi do të shoqërohet në Evropian nga Gerald Shametaj me detyrën e shefit të delegacionit, njëkohësisht kryetrajner dhe nga trajnerët Gëzim Zeneli dhe Jozef Sermi. Sipas sekretarit të federatës, Edmond Kabashi, Kombëtarja niset sot drejt vendit organizator dhe shprehu sigurinë për një prezantim dinjitoz. “Për këtë kompeticion është bërë një përzgjedhje kualitative, ku u analizua në detaj e gjithë ecuria e deritanishme nga kandidatët. Me këtë grup të rinjsh me prespektivë do të kërkojmë një prezantim sa më dinjitoz në Evropian. Jemi të vetëdijshëm se konkurrenca do të jetë e fortë, por për vetë kapacitetet që kemi, kjo na bën të shpresojmë përse jo edhe më lart. Të gjithë boksierët gëzojnë një formë optimale”, – bëri me dije për gazetën Edmond Kabashi. Pak ditë më parë Federata Shqiptare e Boksit në bashkëpunim edhe me klubin shumësportësh Tirana organizoi turneun mbarëkombëtar për nder të legjendës bardheblu dhe kombëtares, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, 82- vjeçarit Todi Janku. Nën kujdesin e veçantë të iniciuesit të këtij organizimi Sokol Kasmi, si dhe federatës u ngjitën në ring sportistët e Tiranës, Vllaznisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Fitues i këtij aktiviteti u shpall pikërisht një boksier i Tiranës, Alban Bermeta. Në finalen e peshës 75 kg, Bermeta do të mundte mes një boksimi perfekt 2-1 Asmer Bilalin e Vllaznisë.

LISTA E KOMBËTARES
SPORTISTËT:
Edison Zani (pesha 50 kg)
Rexhildo Zeneli (pesha 52 kg)
Krenar Zeneli (pesha 54 kg)
Ervin Mzhiku (pesha 57 kg)
Mani Çela (pesha 60 kg)
Edmond Lecini (pesha 63 kg)
Syrja Marinaj (pesha 75 kg)
Andrea Derjaj (pesha 80 kg)
Jurgen Uldedaj (pesha +80 kg)
KRYETRAJNER:
Gerald Shametaj
TRAJNERË:
Gëzim Zeneli dhe Jozef Sermi
OLGERT SERANI