Evropiani, boksi kavajas do të sfidojë futbollin
Tashmë futbolli nuk është sporti i vetëm që tërheq tifozë në Kavajë. Po mbushen 5 vite që falë punës së trajnerit Shpëtim Begolli kavajasit po tregojnë se mund të jenë edhe boksierë të mirë. Besa, pjesëmarrëse në kampionatin kombëtar të U- 19, shpalli dy kampionë dhe ata ishin Andrea Derjaj pesha 80 kg dhe Edmond Lecini pesha 63 kg. Për herë të parë në historinë e boksit të dy këta boksierë do të garojnë në kampionatin evropian për të rinj në Sofje të Bullgarisë. Të rinjtë kavajas u shpallën kampionë në kategorinë e tyre këtë vit, kësisoj federata i grumbulloi në përfaqësuese. Dje ata u nisën drejt Bullgarisë pas një stërvitje dyjavore me mbështetjen financiare personale dhe të sipërmarrjes “Frigo Hylviu”. Tashmë edhe boksi po kërkon t’i hyjë në pjesë futbollit në një traditë të re. Në eventin që mbahet nga 22 qershori-1 korrik në pallatin e sportit “Festivalna Hall”, Federata Shqiptare do të përfaqësohet me: Edison Zani (pesha 50 kg), Rexhildo Zeneli (pesha 52 kg), Krenar Zeneli (pesha 54 kg), Ervin Mzhiku (pesha 57 kg), Mani Çela (pesha 60 kg), Edmond Lecini (pesha 63 kg), Syrja Marinaj (pesha 75 kg), Andrea Derjaj (pesha 80 kg), Jurgen Uldedaj (pesha +80 kg). Kombëtarja kuqezi do të shoqërohet në Evropian nga Gerald Shametaj me detyrën e shefit të delegacionit, njëkohësisht kryetrajner, si dhe nga trajnerët Gëzim Zeneli e Jozef Sermi.
Feriz Ferizaj













